Lajme

Hoti: Kosova mund të bëhet pjesë e Ballkanit të hapur vetëm në koordinim dhe me garancat e SHBA-së

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se Kosova mund të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani i hapur” vetëm në koordinim dhe me garancat e SHBA-së.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se qeveria e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kishte pranuar kërkesën e SHBA-së që Kosova të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, duke u mbështetur në dy parime të cilat u theksuan nga zyrtarët amerikan në Ohër.

“Në qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, në takimin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 shtator 2020, ne pranuam kërkesën e SHBA-së që Kosova të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani i hapur” pasi morëm garancën e tyre se: pjesëmarrja jonë në këtë nismë do të jetë mbi baza plotësisht të barabarta dhe se kjo nismë rajonale, dhe cilado nismë tjetër, ka sukses vetëm kur marrin pjesë të gjitha vendet”, shkroi Hoti.

Sipas Hotit, parimi i parë nënkupton se Serbia detyrohet ta njoh subjektivitetin shtetëror të Kosovës në marrëdhëniet rajonale.

“Në terma praktik, parimi i parë nënkupton se Serbia detyrohet ta njoh subjektivitetin shtetëror të Kosovës në marrëdhëniet rajonale në çdo aspekt sikurse të çdo vendi tjetër, pasi pjesëmarrja e palëve është në baza plotësisht të barabarta”, shkroi Hoti.

Kurse, për të dytin thotë se Serbia nuk mund ta dominoj tregun rajonal.

“Ndërkaq, parimi i dytë nënkupton se Serbia nuk mund të dominojë tregun rajonal kur të gjitha vendet e rajonit marrin pjesë në këtë nismë”.

Ai e quan çdo nismë rajonale si të përkohshme pasi që orientimi i Kosovës është antarësimi në Bashkimin Evropian./Shqip.com