Lajme

Hoti kërkon nga Izraeli që t’ia heq vizat Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka njoftuar se po qëndron për vizitë në Izrael, ku është takuar me Kryetarin e Kuvendit të Izrealit, të cilit i ka dorëzuar ftesën për vizitë në Prishtinë, gjatë tetorit.

Hoti ka njoftuar se në këtë takim ka kërkuar heqjen e regjimit të vizave mes dy vendeve në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të udhëtojnë lirshëm, kërkesë e cila ka thënë se “u mirëprit jashtëzakonisht mirë”.

Përveç heqjes së vizave, Hoti ka kërkuar edhe që të hapet sa më parë ambasada izraelite në Prishtinë.

Postimi i plotë:

Vizitë historike në Izrael: Kosova dhe Izraeli duhet të vendosin partneritet strategjik

Në cilësinë e Kryetarit të Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael, bashkë me kolegë nga Kuvendi i Kosovës, sot takuam Kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset), Grupin homolog të Miqësisë Izrael-Kosovë, Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje dhe shumë deputetë të tjerë.

Kosova është falënderuese për vendimin madhor të Izraelit për njohjen e Kosovës në shtator të vitit 2020, që ndodhi në bisedën nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit janë shkëmbyer vizita dhe janë nënshkruar marrëveshje në disa sektorë.

Në takimin me Kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset) shtruam këto çështje për diskutim:

(1) heqjen e regjimit të vizave mes dy vendeve në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të udhëtojnë lirshëm, e cila gjë u mirëprit jashtëzakonisht mirë;

(2) kërkuam që sa më parë të hapet ambasada izraelite në Prishtinë;

(3) propozuam nënshkrimin e disa marrëveshjeve ekonomike për të nxitur bashkëpunimin tregtar dhe investimet mes dy vendeve tona, siç janë: marrëveshja për mbrojtjen e investimeve, marrëveshja për tregti të lirë dhe marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë mes dy vendeve;

(4) marrëveshja për bashkëpunim mes dy parlamenteve.

Kryetarit të Kuvendit të Izraelit (Knesset) i dorëzuam ftesën për vizitë në Prishtinë, e cila duhet të ndodh në muajin tetor.

Të gjitha këto marrëveshje vendosin bazat për të hyrë në bashkëpunim strategjik me Izraelin, jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe në shumë fusha të tjera.

/Shqip.com