Hoti: Kemi fjetë mbi qymyr, por importojmë qymyr
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Kosova ka mjaftueshëm thëngjill, por ata është duke e importuar.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se një numër i madh i bizneseve e përdorin qymyrin për ngrohjen e hapësirave të punës apo në teknologjinë e prodhimit.
“Një numër i bizneseve në Kosovë e përdorin qymyrin për ngrohje të hapësirave të punës apo në teknologjinë e prodhimit. Zakonisht këto biznese qymyrin e kanë blerë nga ndërmarrja “Kosova Thëngjilli”, e cila funksionin si shoqëri aksionare. Kjo ndërmarrje e ka blerë qymyrin nga KEK-u, e ka përpunuar atë dhe ua ka shitur bizneseve ose e ka eksportuar”, shkroi Hoti.
Ish-kryeministri thotë se kontrata e “Kosova Thëngjillit” me KEK-un nuk është aktive dhe punëtorët e tyre janë pa të ardhura.
“Kontrata e kësaj ndërmarrje me KEK-un nuk është aktive. Punëtorët e saj janë pa të ardhura. Sot bizneset private detyrohen të importojnë qymyr nga jashtë. Së paku 6 milion euro qymyr janë importuar vitin e kaluar. Qymyri është importuar edhe nga Serbia, me çmim prej 200 euro për ton, krahasuar me 60 euro për ton nga “Kosova Thëngjilli”.
Madje, Hoti ka edhe disa pyetje drejtuar pushtetit lidhur me qymyrin që ka Kosova.
“Për kur po e ruajmë qymyrin?, Çfarë strategjie është kjo?, Pse duhet bizneset të blejnë qymyr tri herë më shtrenjtë nga Serbia e nga vendet e tjera?, Pse të mos eksportohet qymyri kur tani ka kërkesë nga disa vende për shkak të krizës energjetike?”.
/Shqip.com