Lajme

Hoti i reagon Odaloviqit: Dëshira për masakra është ende në gjakun tuaj

Ish-deputeti i PDK-së, Andin Hoti

Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit dhe drejtues i delegacionit të Kosovës për bisedime për të pagjeturit, Andin Hoti, ka reaguar ashpër ndaj kërcënimeve të sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Velko Odaloviq, për “pushtimin e Kosovës nga Serbia”.

Ky i fundit deklaroi të hënën se “kudo që ishin amerikanët, ata u larguan përfundimisht, Prishtina duhet të mendojë për këtë”, duke iu referuar situatës së fundit në Afganistan, i cili është pushtuar nga talebanët.

Hoti, një mendësi të tillë të Odaloviqit e quan kërcënim të hapur se sikur të mos ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Serbia “do të vazhdonte krimet e saja çnjerëzore ndaj popullit shqiptar”.

Në një postim në Facebook, Hoti ka shkruar se Odaloviq i ka ngacmuar plagën e pashëruar.

Sipas tij, edhe pse kanë kaluar 22 vite nga lufta e fundit në Kosovë, “mendësia juaj nuk ka ndryshuar, dëshira për masakra është ende në gjakun tuaj”.

“Sapo m’i kujtove masakrat e panumërta, përdhunimet, krematoriumet, vrasjet me mënyrat më çnjerëzore që njeh historia ndaj grave, fëmijëve e pleqve civil në gjenocidin e fundit në Kosovë nga ju!”.

“Sapo mu paraftyruan djegja e njerëzve të gjallë e të vdekur nga Ushtria, Policia, e paramilitarët serb, vetëm PSE ishin Shqiptar! Sapo ma ri-dëshmove fjalën ‘dhunë’ tek të zhdukurit ME DHUNË!”, ka shkruar Hoti më tej.

Ndër të tjera, ai u shpreh se “Amerika nuk ka urrejtje ndaj serbëve, përkundrazi, Amerika lufton kudo në botë për të drejtat e njerëzve, nga padrejtësitë që u bëhen prej kriminelëve si Millosheviçi”./SHQIP.com