Ekonomi

Hoti: Fondi Pensional pa Bord që nga marsi, pasojat i bartin qytetarët

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka komentuar performancën e Fondi Pensional i Kursimeve gjatë vitit të kaluar.

Ai, përmes një postimi në Facebook, tha se kthimi bruto nga investimet ka qenë negativ për -119.9 milionë euro, si dhe ka pasur rënie të çmimit të njësisë për -5.5 për qind.

Hoti, po ashtu, theksoi se Trusti Pensional nuk ka bord nga data 1 mars i këtij viti dhe si pasojë e kësaj nuk ka kush të marrë vendim për tërheqje të investimeve nga tregjet dhe instrumentet financiare, në të cilat ka rënie, si dhe kursimet e mbledhura nga Trusti nga 1 marsi e këndej nuk do të mund të investohen në tregje financiare.

“Në të dy rastet dëmet i bartin qytetarët që kanë kursime në Trust. Ministri i Financave, Auditori i Përgjithshëm dhe Guvernatori i BQK-së kanë përgjegjësi për këtë situatë”, ka shkruar Hoti.

/Shqip.com