Lajme

Hoti e quan të paditur Qeverinë Kurti: Inflacioni ka zhvlerësuar 136 milionë euro të mjeteve që po mbahen në llogari

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Paratë e gatshme në llogarinë e Qeverisë kanë arritur në 678 milionë euro, dyfish më shumë sesa që nevojiten. Rrjedhimisht, mund të ishte pezulluar akciza në naftë, si dhe përgjysmuar TVSH-ja në naftë dhe në mallra ushqimore, pa shkaktuar asnjë vështirësi buxhetore për Qeverinë.

Kështu ka deklaruar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, përmes një reagimi në rrjetin Facebook.

Sipas tij kjo qeveri vuan nga padituria sepse mjetet po mblidhen vetëm sa për t’i mbajtur në llogari.

“Sikur të mos mblidheshin këto mjete vetëm sa për t’i mbajtur në llogari, sot ekonomia do të kishte edhe 300 mil euro në qarkullim. Këto mjete tanimë janë zhvlerësuar nga inflacioni për rreth 20%, që është rreth 136 mil euro. Këta as nuk i shpenzojnë mjetet e mbledhura për projekte, e as nuk ua lënë qytetarëve. Pasojat po i bartim të gjithë. Sot në ekonomi ka rreth 500 milionë euro më pak për shkak të paditurisë”, ka shkruar Hoti.

Tutje ish-kryeministri Hoti shkruan se është dështim total menaxhimi i buxhetit në kohën e krizës më të madhe ekonomike në vitet e fundit.

“Sipas raportit të buxhetit për janar-shtator 2022, vetëm 21% e investimeve kapitale janë realizuar (158 mil nga 764 mil të planifikuara). Kjo është 29% më pak se më 2021 dhe 24% më pak se më 2020. Kjo po na kushton shtrenjtë. Për shkak të mosrealizimit të shpenzimeve kapitale, sot ekonomisë i mungojnë rreth 200 milionë euro në qarkullim”, ka shkruar Hoti.

Kujtojmë se javën e kaluar ka dështuar edhe një herë votimi në Kuvend i ligjit për caktimin e tavanit për produktet esenciale.

Të zëshëm për ta kundërshtuar ishin edhe deputetët e LDK-së, të cilët numëruan disa arsye se pse propozimi i qeverisë nuk duhet votuar dhe se është në kundërshtim me ligjin.

/Shqip.com