Lajme

Hoti: E papranueshme ndërhyrja e Qeverisë në pavarësinë e organizimit sindikal

Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi se është e papranueshme ndërhyrja e Qeversisë në pavarësinë e organizimit sindikal, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti kritikoi Qeverinë pasi që ende nuk është dërguar në Kuvend Ligji i Pagave, duke thënë se në kohën e qeverisjes së tij, ky Ligj ka qenë i gatshëm.

“Në anën tjetër, në vend të dialogut social me sindikata për të gjetur një zgjidhje të përballueshme për buxhetin dhe që do të ishte e pranueshme për të gjithë, ne po shohim konfrontime qeveri-sindikata dhe tendencë për ndërhyrje të qeverisë në pavarësinë e organizimit sindikal në Kosovë.

Kjo sjellje është e papranueshme. Sindikatat janë institucione shoqërore të veçanta, të rregulluara dhe të mbrojtura me ligj. Ato kanë bartur barrën e ndryshimeve shoqërore e politike në Kosovë në vitet më të vështira”, shkroi Hoti

Sipas tij, është obligim shtetëror që sindikatat të jenë pjesë e konsultimeve si për Ligjin e Pagave, por edhe për ligje dhe vendime tjera shtetërore.

“Me këtë vonesë të procedimit në Kuvend të ligjit për paga në sektorin publik dhe mosinteresim të qeverisë për të adresuar shqetësimet e sindikatave, me të drejtë deputetë të opozitës marrin nisma për ndarje të buxhetit për paga.

Ne do ta diskutojmë me shumë kujdes amandamentin për ndarjen e mjeteve për paga në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-se përpara seancës së Kuvendit më 22 dhjetor, kur votohet buxheti në lexim të dytë”, shkroi ndër tjerash ai./SHQIP.com