Lajme

Hoti: Duket se “gjakderdhja financiare” po i ndodh buxhetit të shtetit me vendime qeveritare

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se duket se “gjakderdhja financiare” po i ndodh buxhetit të shtetit me vendime qeveritare.

Ai tha se  ndërmarrjet publike janë subvencionuar nga Qeveria gjashtë herë më shumë sesa viti i kaluar

Sipas Hotit, vlera e subvencioneve në ndërmarrje publike në gjashtëmujorin e parë ka shkuar në 12.39 milionë euro

“Çudi me këtë Qeveri. E ka ndaluar “gjakderdhjen financiare” të ndërmarrjeve publike, por për periudhën janar-qershor 2022, i ka rritur për gjashtë herë subvencionet nga buxheti për këto ndërmarrje – nga 1.92 mil euro më 2021, në 12.39 mil euro sivjet”, shkroi Hoti në Facebook.

Ai thotë se me gjasë pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë duke shkuar për të larguar punëtorë nga puna.

“Me gjasë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve po shkojnë për të larguar punëtorë nga puna në Telekom përmes skemës që ua paguan përnjëherë 24 paga mujore atyre që lëshojnë punën. Fatkeqësisht, kjo skemë po rezulton me ikje të kuadrove më të mira nga Telekomi, pasi kuadrot më të mira kanë më shumë alternativa në treg”.

Hoti, pyet se “Çfarë politike e mbrapshtë është kjo?”.

“Duke qenë se Telekomit po i ikin kuadrot, detyrimisht do të detyrohet të rekrutojë punëtorë së shpejti. A nënkupton kjo se po largohen punëtorët ekzistues për tu zëvendësuar me të tjerë nga partia në pushtet?! Çfarë politike e mbrapshtë është kjo”.

Kujtojmë se “gjakderdhje financiare” është term i përdorur nga Qeveria e Kosovës të cilët vazhdimisht thonë se e kemi ndalur gjakderdhjen financiare në Kosovë./Shqip.com

Grafika e publikuar nga Avdullah Hoti