Hoti bën thirrje për vaksinim: Përndryshe, në shtator mësimi nuk fillon me orar të rregullt

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, që aktualisht mban postin e deputetit të Lidhejs Demokratike të Kosovës, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, njofton Shqip.com.
Siç paralajmëron ai, në rast të mosvaksinimit – mësimi në shtator do të fillojë me orar jo të rregullt, e do të pasojë edhe me mbyllje të ekonomisë.
“Lutje për të gjithë për vaksinim. Përndryshe, në shtator mësimi nuk fillon me orar të rregullt, ekonomia mbyllet dhe të gjithë pësojmë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Tutje ai tha se jo që është më e dhimbshme, në spitale mund të kthehen pamjet me pacientë të shumtë që luftojnë për jetë, me mjekë e infermierë të stërmunduar për të shpëtuar jetë, me shifra ditore të frikshme nga IKShP për rastet e reja dhe rastet me fatalitet.
Gjatë së dielës edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka apeluar te qytetarët për vaksinim, në mënyrë që të parandalohen vdekjet dhe komplikimet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital. /Shqip.com