Ekonomi

Hoti: Ai që e kurdisi procesin për të ardhur në krye të BQK-së, mesazh i keq

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar për hapjen e konkursit për zgjedhje të stafit në Bankën Qendrore të Kosovës.

Hoti tha se ai që e “kurdisi procesin për të ardhur vet në krye të BQK-së, edhe pse përkohësisht, tani ka shpallur konkurse”.

Madje sipas Hotit, ky është mesazhi më i keq që u dërgohet investitorëve dhe tregut financiar, sepse sipas tij, një gjë e tillë e thellon pasigurinë ekonomike në vend.

“Zgjedhja e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës bllokohet, por jo edhe konkurset për zgjedhje të stafit. Ai që e kurdisi procesin për të ardhur vet në krye të BQK-së, edhe pse përkohësisht, tani ka shpallur konkurset. Sigurisht se kjo bëhet ne lejen e shefit të tij. Ai tani ka “pushtet” të plotë mbi BQK-në, institucionin më të rëndësishëm financiar në vend dhe pa pasur kush ta mbikëqyr punën e këtij institucioni. Ky është mesazhi më i keq që u dërgohet investitorëve dhe tregut financiar. Kjo e thellon pasigurinë ekonomike në vend”, tha Hoti.

Teksa theksoi se presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti po i japin urdhrat se si të veprojnë ushtruesit e detyrës së këtyre institucioneve shtetërore.

“Ndoshta Kosova nuk ka nevojë të ketë Guvernator, as Kryeprokuror, as Bord të Trustit, as Drejtor të Thesarit, as Kryeshef të Agjencisë së Statistikave, as Drejtor të ATK-së. Mjafton që e ka kryeministrin dhe presidenten që japin urdhëra si të veprojnë ushtruesit e detyrës të këtyre institucioneve vitale shtetërore”, shtoi ai.

Ndryshe, që nga fundi i muajit mars, Banka Qendrore e Kosovës është duke u udhëhequr nga një ushtrues detyre.

/Shqip.com