Lajme

Hodaj për arrestimet në pikat kufitare: Janë bërë 500 ankesa për shkelje të ndryshme nga zyrtarët policor

Kushtrim Hodaj, Kryeshef Ekzekutiv në Inspektoratin Policor të Kosovës

Kushtrim Hodaj, Kryeshef Ekzekutiv në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka thënë se posedojnë pamjet e zyrtarëve duke marrë ryshfet.

Hodaj në këtë rast ka arsyetuar arrestimet për njëherë të një numri të madh të zyrtarëve policor në dy aksione të ndara në pikat kufitare.

“Inspektorati Policor gjatë këtij viti ka pasur një ritëm të shtuar të angazhimeve në hetimin e zyrtarëve të dyshuar për vepra penale. Si rezultat i këtyre hetimeve dhe një numër të konsiderueshëm të ankesave që i kemi pranu gjatë këtij viti, kemi arrestuar 87 zyrtar policor në raste të ndryshme penale. Kryesisht janë dy raste të mëdha që lidhen me marrjen e ryshfetit apo korrupsionit”, ka thënë Hodaj.

Inspektorati Policor i Kosovës

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se janë mbi 500 ankesa që janë pranuar për shkelje të ndryshme ndaj zyrtarëve policor.

“Mbi 150 janë dërguar për hetim penal në departamentin e hetimeve dhe një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve janë nën hetime për shkak të këtyre rasteve. Deri më tani kemi rekomanduar suspendimin e 108 punonjësve të policisë që lidhen me vepra të ndryshme penale, me keqpërdorim të detyrës zyrtare, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave apo raste të tjera”, ka deklaruar Kryeshefi i IPK-së.

Hodaj, ndër të tjera është shprehur se janë duke punuar në vazhdimësi, e se do të ketë edhe aksione të tjera.

“Po ne në vazhdimësi punojmë, kemi raste që trajtojmë. Pranojmë informacione edhe prej qytetareve edhe prej rrugëve të ndryshme operative dhe si rezultat i këtyre angazhimeve dhe hetimeve tona sigurisht që mund të ketë edhe raste të tjera që janë në proces dhe do të përfundojnë në kohën e duhur kur të arrijnë ti dëshmojmë ato dyshime të cilat ne jemi duke hetuar”, ka deklaruar ai.

Ai gjithashtu ka thënë se janë të vetdishëm që këto aksione po konsiderohen si spektakël këto arrestime, po sipas tij kjo ndidh kur është numri i madh i zyrtarëve policor dhe tërheqin vëmendjen edhe të mediave edhe të publikut.

Inspektorati Policor i Kosovës

“Nuk është bërë asnjë veprim për spektakël, mund të ketë edhe ankesa për shkak se disa prej tyre lirohen në procedurë të rregullt. Ne jemi të bindur dhe e themi me plotë përgjegjësi që për të gjithë këta zyrtar të arrestuar kemi prova të mjaftueshme, kemi prova me pamje me video ku këta shihen duke marr ryshfet shumica prej tyre”, ka deklaruar Hodaj.

Kryeshefi IPK-së ka treguar se krejt aktiviteti janë bërë me qëllim që me ruajt integritetin e Policisë.

Një muaj më parë, Inspektorati Policor i Kosovës i mbështetur nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë filluar aksionin “Pika”.

Gjatë këtij aksioni janë arrestuar 48 zyrtarë policorë dhe dy doganier në Qafë Prushë dhe Qafë Morinë.

Ndërsa një javë më parë, Policia e Kosovës, respektivisht Inspektorati policor ka arrestuar 26 persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo marrje të ryshfetit.

Në këtë aksion i cili është zhvilluar në pikën kufitare në Vërmicë janë arrestuar 2 rreshterë policor si dhe 24 zyrtarë të tjerë.

Inspektorati Policor i Kosovës