Kulturë

Historianët e Deçanit: Manastiri i Deçanit nuk është i rrezikuar nga shqiptarët, por nga politika e Igumentit Sava Janjiç

Manastiri i Deçanit
Manastiri i Deçanit

Kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, nga dega në Deçan, Shkodran Imeraj, ka reaguar ndaj Organizatës “Europa Nostra”, si dhe ndaj kreut të Manastirit të Deçanit, Igumenti Sava Janjiç.

Imeraj tha se tani ka ardhur koha që siguria e Manastirit të menaxhohet nga Policia e Kosovës.

“Manastiri i Deçanit, është nder vendet me të sigurta në Kosovë, pasi që objektin dhe zonën për rreth tij e sigurojnë forcat e Aleancës së NATO-së. Tashmë, ka ardhur koha që sigurinë e Manastirit, të e bëjnë Policia e Kosovës”, ka shkruar ai.

Imeraj, tutje tha se cilësimet e Organizatës jo-qeveritare (OJQ) “Europa Nostra”, për rrezikshmërinë e Manastirit të Deçanit, nuk janë të qëndrueshme.

“OJQ “Europa Nostra”, duhet të dije se Manastirin e Deçanit, që nga ndërtimi i tij e deri me sot, e kanë ruajtur dhe siguruar banorët vendas shqiptar. Manastiri i Deçanit, në të gjitha etapat e historisë sonë, është ruajtur dhe respektuar nga popullsia vendase shqiptare”, ka shkruar ai.

Ai vlerësoi se Manastiri i Deçanit nuk është i rrezikuar nga shqiptarët, pasi që për shekuj të tërë ka qenë në bashkëjetesë të plotë me popullsinë vendase shqiptare.

“Pra, Manastiri i Deçanit nuk është i rrezikuar nga shqiptarët. Ai monumente rrezikohet vetëm nga politika dashakeqe e kreut të saj, Igumenti Sava Janjiç”.

Ndër të tjera, Imeraj thotë se përfaqësuesit e organizatës “Europa Nostra”, duhet me patjetër të vizitojnë lokalitetin arkeologjik “Kulla e Qelisë”, i cili është tepër i rrezikuar nga mos ndërhyrja në të, dhe se mos lejimi nga ana e Manastirit të Deçanit, që institucionet e Kosovës të ndërhynë në lokalitetin arkeologjik “Kulla e Qelisë”, e rrezikon tej masë këtë monumente antik që të zhdukët nga faqja e dheut.

Tutje ai shkroi se është absurde kërkesa e Igumenti Sava Janjiç, për zbatimin e një marrëveshje (ujdie) të disa viteve me parë, me të cilën institucionet e Kosovës duhet të devijojnë rrugën e cila bie kah Manastirit i Deçanit.

“Devijimi i rrugës sipas kërkesave të Manastirit të Deçanit nuk duhet të pranohet nga institucionet e Kosovës, ngase është e papranueshëm devijimi i rrugës, sepse me mija vjet rruga ka qenë e kalueshme dhe e qasshme për qarkullim ajo që kalon në afërsi të Manastirit. Tentimi i Igumenti Janjiç, për të devijuar rrugën me ndërtimin e një traseja të re kah pjesa e Isniqit dhe kah pjesa e grykës së Lloqanit, dhe mos lejimi i kalimit të njerëzve dhe automjeteve në rrugën ekzistuese është tentim i qartë për të i hapur mundësinë e futjes në geto Manastirit dhe krijimin e kushteve për themelim e një territori të shkëputur nga juidiksioni i shtetit të Kosovës”.

“I japim mbështetje të plotë dhe të pa rezervë në qëndrimet e saja rreth kësaj teme Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera Republikës, të cila si asnjëherë më parë janë tepër parimore në këtë temë”.

Ai tha se kreu i Manastirit, Sava Janjiç, duhet të ndal sa me parë fushatën kundër shtetit të Kosovës, dhe të pranojë shtetësinë e Republikës së Kosovës, e të mos luaj me standardet të dyfishta./Shqip.com