Lajme

Hiqet barrikada në Rudar, kufijtë ende të mbyllur

Ka filluar të largohet edhe barrikada që ishte vendosur në Rudar të Komunë së Zveçanit nga serbët lokal atje.

Por edhe pse ka filluar heqja e tyre, kufijtë qëndrojnë ende të mbyllur dhe nuk ka ndonjë informacion se kur do të vazhdojë normalizimi i pikave kufitare.

Pika kufitare në Merdarë e cila ishte e mbyllur për shkak të barrikadave tani është e hapur, por e njëjta gjë nuk ka ndodhur me Jarinjën dhe Bërnjakun.

Kujtojmë se ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që ditën e djeshme ka paralajmëruar se të enjten do filloj largimi i barrikadave në Kosovë. Ai shtoi se largimi i tyre mund të zgjas për 24 ose 48 orë.

Bllokimi i rrugës, si pasojë e barrikadave ka shkaktuar probleme në lëvizjen e lirë. Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, tash e më shumë se dy javë mbeten të mbyllura.

Ishte 10 dhjetori kur u bë vendosja e parë e barrikadave, në zonat afër Zveçanit dhe në Leposaviq.

Qëllimi ishte që të bllokohet rruga për të transferuar nga stacioni në Leposaviq, ish-policin serb që ishte arrestuar, Dejan Pantiq.

/Shqip.com