Lajme

Hill: Marrëveshja e Ohrit do të ketë ndikim pozitiv për të gjithë Ballkanin

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill ka thënë se marrëveshja e Ohrit do të ketë ndikim pozitiv për të gjithë Ballkanin.

Siç raportojnë mediat serbe, Hill e tha këtë gjatë një vizitë në Vranjë duke potencuar se kjo marrëveshje do të mbetët në histori.

“Unë shpresoj se Marrëveshja e Ohrit do të mbetet në histori e regjistruar nga njëra anë si pika në të cilën filloi normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe bëri që kufijtë të lidhin njerëzit, jo t’i ndajnë ata, por gjithashtu si një pikë kthese që nisëm të trajtojmë çështjet ekonomike në radhë të pare”, tha Hill.

Hill tha se marrëveshja e zhvendos një pjesë të përgjegjësisë për të gjithë që të bëhet përpjekje që nëpërmjet zhvillimit ekonomik të forcohet ky rajon.

“Marrëveshja zhvendos një pjesë të përgjegjësisë për të gjithë ne për të bërë përpjekje nëpërmjet zhvillimit ekonomik për të ndihmuar këtë rajon të forcohet dhe të begatohet. Të gjithë vendet dhe banorët e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë një përpjekje për ta sjellë këtë rajon më pranë BE nëpërmjet bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe kjo nuk është një detyrë politike por ekonomike,” tha Hill.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të zhvillohet një takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel të kryenegociatorëve.

Kryenegociatori i Kosovës për këto takime është zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa i Serbisë është udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Në këtë takim është thënë se fokusi do të jetë në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve – për të cilën Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt – si dhe në aneksin e zbatimit, për të cilin palët janë dakorduar më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

/Shqip.com