Lajme

Hill flet për gjykimin e Thaçit e të tjerëve: Të pandehurve t’u jepet mundësia të sqarohen

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka folur për gjykimin në Hagë që është duke u bërë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se duhet dhënë mundësia të akuzuarve të sqarohen dhe se nuk duhet të flitet për këtë temë aktualisht, pasi që gjykimi po vazhdon.

“Gjykata për krime lufte është themeluar shumë kohë më parë, edhe para asaj që ka ndodhur në Kosovë. Mendoj se është e rëndësishme të lejohet vazhdimi i atyre gjyqeve, të paraqiten provat, t’u jepet mundësia të akuzuarve të sqarohen, do të shohim se çfarë thonë gjyqtarët në fund.

Nuk mendoj se është e rëndësishme të flasim për këtë tani sepse gjyqi është në vazhdim”, tha ai në Euronews Serbia.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

/Shqip.com