Hidhen poshtë parashtresat e Thaçit, Veselit e Selimit mbi ligjshmërinë e Speciales

Parashtresat e ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, mbi ligjshmëritë e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, janë hedhur poshtë nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake, Nicolas Guillou, transmeton Shqip.com.
Në parashtresë, mbrojtja e Thaçit ka kërkuar lirimin e tij, duke thënë se ka skaduar mandate i Speciales dhe se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka më bazë kushtetuese dhe ligjore për të bërë hetime shtesë.
Ish-presidenti i Kosovës në parashtresën e tij ka thënë edhe se i është shkelur e drejta për një seancë dëgjimore të drejtë e të paanshme brenda një afati të arsyeshëm, e drejta për t’u persumuar i pafajshëm, si dhe e drejta për t’u gjykuar nga një tribunal i pavarur dhe i paanshëm, duke kërkuar kështu lirimin.
Ndërkohë mbrojtja e ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në parashtresë ka thënë se struktura dhe përbërja e Speciales është në kundërshtim me themelimin e saj dhe funksionin e saj si gjykatë vendore e Kosovës, duke e kaluar kështu autoritetin që i është dhënë me Kushtetutë të Kosovës.
Sipas tij, kjo përbën shkelje të Koventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore. Mbrojtja e Selimit ka kërkuar seancë dëgjimore për këtë.
E mbrojtja e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, po ashtu ka thënë se Specialja ka shkelur mandatin që i ka dhënë Kushtetuta e Kosovës.
Gjyqatari i Procedurës Paraprake, Guillou, ka hedhur poshtë mocionet e parashtruara. /Shqip.com