Ekonomi Në shkresën e siguruar nga Shqip.com, shefja e Zyrës ndërlidhëse greke, Chryssoula Aliferi, mohon të jetë nënshkrimi i saj në kontratën me HIB Petrol

HIB, Alfa dhe Fer Petrol importuan naftë me certifikata të falsifikuara

Kompania Alfa Trade

Tetë ditë para se Dogana e Kosovës të zhvillonte aksion në kompanitë e derivateve: HIB Petrol, Alfa Trade dhe Fer Petrol, kishin filluar hetimet ndaj tyre.

Gjithçka ishte e rastësishme!

Sipas kallëzimit penal të siguruar nga Shqip brenda Prokurorisë së Shtetit, me 10 mars zyrtari doganor kishte pranuar dy kërkesa për lirim të taksave doganore për Zyrën ndërlidhëse greke, atë të HIB Petrol dhe Petrol Company.

Në atë moment, doganieri vëren se certifikatat e pretenduara si të lëshuara nga zyra greke, nuk përmbajnë të njëjtat elemente.

Si rrjedhojë, i njëjti i drejtohet Zyrës për marrëdhënie ndërkombëtare të Doganës, për verifikim të dokumenteve.

Verifikimi rezulton se certifikata e HIB Petrol është falsifikuar dhe të njëjtin pretendim të Doganës, e aprovon edhe zyra greke.

Në përgjigjen e siguruar nga Shqip, ambasadorja greke mohon të jetë nënshkrimi i saj në kontratën e HIP Petrol, apo ndonjë kompanie tjetër, përjashtimisht PetrolCompany.

“Pas një ekzaminimi të detajuar, kjo është përgjigja jonë: Dokumenti me nr AS 58, i datës 3 Shkurt, 2022 është ORIGJINAL, i nënshkruar nga unë. Nga ana tjetër, dokumenti me nr “AS 158” i datës 24 Shkurt,2022 ËSHTË I GJITHI I RREMË, sipas përmbajtjes, njërës nga adresat (HIB: ne nuk merremi me ta), letra (gabim në adresën e shënuar poshtë), “numrin” e saj të referencës, dhe mbi të gjitha, “nënshkrimin” tim të supozuar! KY DEFINITIVISHT NUK ËSHTË NËNSHKRIMI IM, dhe ne nuk iu drejtohemi në këtë mënyrë Kreut të Zyrës ndërmjetësuese të Greqisë në Prishtinë”, thuhet në e-mailin e Chryssoula Aliferi Ambasadore, Shefe e Zyrës ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë.

Si rrjedhojë, Alifer kërkon nga organet që të hetojnë rastin dhe ta informojnë për çdo zhvillim./SHQIP.com