Lajme

Hetimet për sulmin në “Top Channel”, makina iu vodh një turisti nga Kosova

Në sulmin ndaj Top Channel ku humbi jetën punonjësi i sigurisë, janë përdorur dy armë zjarri.

Nga verifikimi ka rezultuar se një kallashnikov ka qëlluar 20 herë ndërsa tjetri 6. Gëzhojat, armët dhe makina e autorëve u çuan në laborator për ekzaminim me qëllim gjetjen e provave që do të çojnë në identifikimin e autorëve, raporton Top Channel.

Për këtë sulm, autorët kanë investuar mijëra euro, duke përdorur një mjet të vjedhur 3 vite më parë dhe targa të vjedhura rreth 3 muaj më parë.

Nga verifikimet e kryera nga polica, mjeti “Range Rover” që i përkiste një pushuesi nga Kosova, është vjedhur në Tale të Lezhës më 10 korrik te vitit 2020. Pamjet e kamerave të sigurisë së parkingut të një hoteli në Tale kanë fiksuar momentin kur dy persona me kapuç vjedhin makinën pasi e hapin me pult.

Kjo makinë pasi u përdor në sulmin ndaj “Top Channel” dhe u dogj nga autorët tashmë është një prove material.

Gjatë këtij 24 orëshi në policinë e Tiranës por edhe të Kavajës, Vlorës etj janë shoqëruar shumë persona që mund të kishin dijeni apo lidhje me sulmin përfshirë edhe ish-dhëndrin e viktimës, por të gjithë janë lënë të lirë pasi nuk janë gjetur prova për implikim.

/Shqip.com