Lajme

Heqja e urdhërarrestit për Radoiçiqin, Haxhiu i reagon Isufajt

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar sot pas deklaratës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili tha sot konfirmoi se i ishte hequr urdhërarresti Milan Radoiçiqit, por më pas ishte rikthyer. Në një konferencë për media të fundvitit, Isufaj tha se s’i zbulon arsyet për publikun.

Haxhiu tha se po të mos i ishte hequr ky fletarrest Radoiçiqit atëherë ai do ta kishte të pamundur operimin në veri të vendit, duke iu referuar edhe sulmit terrorist në Banjskë, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë vetë Radoiçiq.

“Po të mos hiqej fletarresti (mos)operimi i tij do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në veri të vendit. Kur dikujt i hiqet fletarresti praktikisht i bie që diçka ka ndërruar për të mirë, por këtë vit nga ky person që ju hoq fletarresti u organizua tentim-aneksimi i veriut me 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. A e ka të qartë ky kryeprokuror që kjo çështje është preokupim kombëtar e shoqëror dhe nuk ka këtu vetëm Pikë?”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo tha se drejtësia do të duhej të ishte e pavarur dhe ajo është e pavarur vetëm në sensin ndërinstitucional.

“Jo rastësisht aktgjykimet kanë frazën ‘’Në emër të popullit’’, sepse sikur secili institucion shtetëror i nënshtrohet vullnetit të shprehur të popullit që i shërben dhe prej nga e merr legjitimitetin. Pra, drejtësia është e pavarur vetëm kur ajo njëmend është në përputhje me vullnetin e popullit”.

Haxhiu tha se rreziku nga Serbia në veri të vendit dhe cenimi i rendit kushtetues ndaj Kosovës nuk janë çështje vetëm të një prokurori.

“Cenimi që Serbia për mbi 20 vjet i ka bërë rendit juridik dhe kushtetues në veri të vendit me në krye akter terrorist si Milan Radojçiq, veriu, siguria kombëtare nuk janë thjesht çështje të ftohta juridiko-penale të një prokurori apo kryeprokurori që me lehtësinë e botës thotë se vetëm ai i di arsyet pse i ka hequr fletarrestin dikujt si Milan Radojçiq. Dhe pikë, siç shprehet ai”.

Republika e Kosovës nuk i përket Prokurorisë, thotë Haxhiu, duke shtuar se “ajo sikur secili institucion duhet t’i shërbej Republikës dhe vullnetit të popullit ose nëse ka pasur presione nga dikush nga politika asokohe mos le ta ushtrojë detyrën në mungesë guximi sepse kështu e merr në qafë Republikën”.

“Vullneti i popullit është i qartë: ai do drejtësi dhe shtrirje të rendit e ligjit, pa dallim. Për këtë vullnet breza e breza të tërë janë angazhuar dhe sakrifikuar, mijëra të tjerë kanë dhënë dhe jetën dhe nuk ka njeri në botë kushdo qoftë ai që del dhe na thotë unë ja hoqa fletarrestin Radojçiqit dhe pikë. Kjo nuk kalon!”.

/Shqip.com