Sport Ndërkombëtar

Henry: Dua ta shoh Messin duke e përfunduar karrierën te Barcelona

Messi dhe Henry

Legjenda franceze e futbollit, Thierry Henry, ka thënë se do të dëshironte ta shihte Lionel Messin duke e mbyllur karrierën e tij te Barcelona.

Argjentinasi, i cili aktualisht luan për Paris Saint-Germainin, ka një kontratë me klubin francez deri në qershor të këtij viti, teksa e ardhmja e tij është ende e paqartë.

Duke folur si analist në “Amazon Prime Video”, Henry shprehu dëshirën e tij për të parë Messin të kthehet në Barcelonë, ku ai fitoi trofe të shumtë dhe u vendos si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Henry, i cili luajti së bashku me Messin te Barcelona nga viti 2007 deri në 2010, përmendi dashurinë e tij për sportin dhe kontributet e 35-vjeçarit në Barcelonë si arsye për qëndrimin e tij.

“Ka të bëjë me dashurinë e lojës, për atë që ai bëri për këtë klub. Ai nuk u largua ashtu siç duhej. Është diçka që ende më shqetëson dhe mendoj se e shqetëson edhe atë”, shtoi 45-vjeçari.

Messi u largua nga Barcelona në vitin 2021, duke i dhënë fund lidhjes 21-vjeçare me klubin katalanas.

Pavarësisht largimit të tij, ai mbetet një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e Barcelonës, duke fituar 10 tituj të La Ligës, shtatë Kupa të Mbretit dhe katër tituj të Ligës së Kampionëve.

/Shqip.com