Sport Shqiptar

Hendboll: Istogu e fiton Kupën e Kosovës

Istogu e ka fituar Kupën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Kupën e ka fituar për herë të pestë brenda gjashtë vjetëve.

Të dielën në Prishtinë, Istogu në finale e mposhti Vushtrrinë me rezultat bindës, 32:21. Istogu ishte bindës edhe në gjysmëfinale ndaj Ferizajt dhe është favorit edhe për titull të kampionit.

Nuk ka asnjë humbje këtë edicion. Në finale nuk kishte fare konkurrencë. Istogu nisi herët shkëputjen dhe më pas mbajti epërsi të lartë deri në fund.

Albina Rugova ishte më efikasja tek Istogu me shtatë gola. Nga katër i shënuan Dajana Milaniq, Pranvera Ferataj e Dayane Da Rocha.

Tri gola i kishte Tainara Luna Goncalves, që u shpall më e mira e turneut final të Kupës. Te Vushtrria, Burneta Rama i shënoi gjashtë gola, ndërsa nga pesë i kishte Kosovare Avdiu.

/Shqip.com