Lajme

Helmimi në Deçan, MSH: Një numër i vogël i qytetarëve kanë kërkuar ndihmë mjekësore

Vizita e MSH-së në Deçan

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha- Bunjaku, bashkë me zëvendësministrin e Ekonomisë, Mentor Arifaj, kanë vizituar gjatë ditës së hënë Institutin Rajonal të Shëndetësisë Publike në Pejë, përfaqësuesit e Komunës së Deçanit, QKMF-në në Deçan, dhe ndërmarrjen regjionale “Hidro-Drini”, (ujësjellësi), në Pejë dhe Deçan.

Kjo vizitë u bë për shkak të shqetësimeve se në disa fshatra të komunës së Deçanit uji është turbulluar si pasojë e të reshurave.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë u bë e ditur se fshatrat nga të cilat një numër i vogël i qytetarëve kanë kërkuar ndihmë mjekësore janë: Carrabreg, Prilep, Llukë e ultë, Prapaqan dhe Isniq.

Vizita e MSH-së në Deçan

“Zyrtarët e Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publik enë Pejë kanë konfirmuar se janë marrë mostrat e ujit të këtyre fshatrave, ku sipas tyre në rezultatet e analizave fiziko-kimike, janë brenda kufijve, porse priten edhe rezultatet e analizave bakteriologjike”, thuhet në njoftim.

Të dy zëvendësministrat, thanë se Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i përgjigjet çdo rekomandimi dhe sugjerimi që vjen nga institucionet kompetente në mënyrë që situata të jetë nën kontroll dhe qytetarët të jenë të sigurt për çdo gjë.

Ata sigurojnë qytetarët e Kosovës, më saktësisht të fshatareve të lartpërmendura të komunës së Deçanit, se nuk ka vend për shqetësim.

Vizita e MSH-së në Deçan

Zyrtarët e institucioneve të lartpërmendura, kanë falënderuar të dy zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës për interesimin e tyre dhe shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar më tutje.

Vizita në zonat e përmendura dhe masat e institucioneve të Kosovës kanë pasuar për shkak se dje Ministria e Shëndetësisë është njoftuar nga IKSHPK-ja se, me kërkesë të ujësjellësit “Hidro-Drini” në Pejë, se janë marrë mostra të ujit të pijes nga disa fshatra të Deçanit për shkak të shqetësimeve se uji është turbulluar si pasojë e të reshurave./Shqip.com