Lajme

Helmimi i qytetarëve në Deçan, KRU “Hidrodrini”: Jemi në pritje të rezultateve, lusim qytetarët mos ta përdorin ujin për pije

Kru" Hidrodrini"

KRU “Hidrodrini” njësia operative në Deçan ka dalur sot me një njoftim shtesë, ku kanë bërë të ditur se janë marrë mostrat e ujit dhe të njëjtat i janë nënshtruar analizës laboratorike, shkruan SHQIP.

Kjo pasi që nga mbrëmja e së shtunës shumë qytetarë të fshatrave të Deçanit kanë ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare , mbi dyshimet se janë helmuar nga uji i pijes.

“Pas shqetësimeve të shfaqura nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri, mbi dyshime për helmim shëndetësorë Ekipet e përbashkëta të KRU ‘Hidrodrini’-Njësia Deçan së bashku me staf të specializuar nga IKSHPK, respektivisht IRSHP-Pejë, gjatë tërë ditës së djeshme e deri mbrëmë vonë kanë marrë mostrat e ujit në fshatrat e sipërshënuar dhe të njëjtat i janë nënshtruar analizës laboratorike.

Rezultatet janë në pritje dhe përpunim dhe të njëjtat do të barten zyrtarisht tek KRU ‘Hidrodrini’ për tu publikuar për opinion”, thuhet në njoftim.

KRU “Hidrodrini” ka theksuar se deri në arritjen e rezultateve konsumatorët e fshatrave në fjalë janë të lutur që ujin mos ta përdorin për pije.

“Po ashtu deri në arritjen e rezultateve, nuk mund të konstatohet asgjë në zbardhjen e dyshimeve për ujë të helmuar ose jo”, thuhet më tej në njoftim.

Ndryshe dje, drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha ka bërë të ditur se vetëm gjatë mbrëmjes të së shtunës ndihmë mjekësore kanë kërkuar 164 qytetarë./SHQIP.com