Lajme

Haziri: Moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe s’e fuqizon Kosovën

Ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri

Ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se vendimi i institucioneve të vendit për mos lejimin e zgjedhjeve të Serbisë “nuk është patriotizëm e as nuk është fuqizim.

Haziri gjatë një interviste ka thënë se Qeveria, përgjegjësinë për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe “e ka ndarë me opozitën më 15 janar”, kur u ndalua mbajtja e referendumit serb.

“Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar njohje indirekte nga Serbia, dhe është e gabuar kërkesa që zgjedhjet serbe të mbaheshin me një letërkëmbim paraprak mes qeverive”, ka thënë ai.

Ish-kreu i Gjilanit ka thënë se nuk ka kushte, nuk ka përgatitje dhe nuk ka pasur ambient për një vendim të tillë.

“Duhet të vijnë mekanizmat e Serbisë t’i bëjnë zgjedhjet në Kosovë? Kjo është edhe më e rëndë”, tha ndër tjerash ish-kryetari i Gjilanit.

Haziri ka folur për praktikën e kaluar, ku ka thënë se “zgjedhjet i ka organizuar OSBE-ja me leje të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai në Frontal të T7.

Duke kujtuar premtimin e Kurtit për dialog me serbët e Kosovës, Haziri tha se kryeministri e ka bërë të kundërtën.

“Edhe këta pak serbë që ne i kemi integru për 20 vjet i ka dezintegru. Sepse ne na është dashur shumë të punojnë serbët në juglindje të Kosovës që të integrohen totalisht. Dhe duhet ta ruajmë si vlerë”, tha ai./Shqip.com