Lajme

Haziri akuzon VV-në: Po mundohen ta “godasin” figurën e Rugovës edhe për së vdekuri

Lutfi Haziri, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),
Lutfi Haziri, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),

Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka akuzuar kryetarin e kësaj komune, Alban Hyseni, se e ka larguar Akademinë përkujtimore për Ibrahim Rugovën nga kalendari i manifestimit “Flaka e Janarit”.

Sipas tij, përmes këtij vendimi pushteti aktual po mundohet ta “godasë” figurën e ish-presidentit Rugova edhe për së vdekuri.

“Ky pushtet aktual i Gjilanit, ani pse pa kryetar, që po udhëhiqet nga zëvendësministra e këshilltarë nga jashtë, punën e parë që bëri është heqjen Akademisë përkujtimore për presidentit Rugova nga kalendari i “Flakës së Janarit”.

Sërish u munduan ta godasin figurën e Presidentit edhe për së vdekuri. Këtë e bënë me porosi ani pse shkuan e u jargitën, duke e thyer kurrizin para varrit të tij në Prishtinë. Por, e mira e madhe në këtë demokraci e këtë liri është që familja e tij, besimtarët e tij, njerëzit, paqësorët e rugovistët e tij do ta nderojnë përjetësisht figurën e Presidentit”, tha Haziri.

Këto deklarata Haziri i ka bërë të shtunën në Akademinë përkujtimore me rastin e 17-vjetorit të ndarjes nga jeta të Rugovës.

/Shqip.com