Lajme

Haxhiu zotohet se emërimi i noterëve të rinj do të bëhet brenda këtij viti

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim anëtarët e Komisionit për Legjislacion, dhe e njëjta është zotuar që emërimi i noterëve të rinj do të bëhet brenda këtij viti.

Gjatë këtij takimi, anëtarët janë interesuar për nivelin e zbatimit të ligjit për noterinë, si dhe ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës.

“Ministrja e Drejtësisë i njoftoi anëtarët e Komisionit që sa i përket ligjit për noterinë, janë në proces nxjerrja e dy akteve nënligjore, njëra për evidencën për personat që kanë dhënë provimin për noteri, ndërsa tjetra për tarifat noteriale që shfuqizon aktin nënligjor për tarifat të zbatueshëm aktualisht”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në këtë njoftim është bërë e ditur se sa i përket ligjit për mbikëqyrje elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, janë nxjerrë aktet nënligjore përkatëse./Shqip.com