Lajme

Haxhiu: Vrasësit të marrin dënimet maksimale dhe meritore, të monitorohet gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për disa propozime që kanë dalë nga takimi i saj që e pati me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe krerët e institucioneve të sistemi të drejtësisë.

Ajo, në një konferencë për media, ka deklaruar dhe ka kërkuar që të ashpërsohen dënimet kur shqiptohen ndaj personave që janë të dyshuar për dhunë në familje.

“Urgjentisht të bëhet nënshkrimi i kontratës për mbikëqyrjen elektronike, të bëhet po ashtu vlerësim i saktë i rrezikshmërisë në secilin rast. Të ashpërsohen dënimet për armëmbajtje pa leje, të analizohet se si po bëhet pajisja me armë të ftohta, prokuroria të hapë pozita për mbrojtës të viktimave në mënyrë urgjente, është shumë i vogël në raport më 200 raste të dhunës në familje që raportohen. Të adresohet secili lëshim që lidhet me lëshimin në procedura të rregullta të dhunuesve edhe të lëshohet udhëzues detyrues nga Prokurori i Shtetit për të gjithë prokurorët që trajtojnë rastet e dhunës në familje që kur ka dyshime për dhunë në familje të mos ketë vendime për lëshim në procedurë të rregullt sepse shteti dhunuesin po e shndërron në vrasës, kur dhunuesi e sheh se po ledhatohet nga sistemi sigurisht që do ta përsëris veprën penale”.

“E rëndësishme të avancohet politika ndëshkimore në asnjë prej rasteve të dhunë në familje nuk është shqiptuar dënimi maksimal, në nenin 248 thuhet se dënimi jepet më gjobë dhe burgim, kemi shumë raste kur dënimet janë nën minimumi që e parasheh kodi penal”, ka thënë Haxhiu.

Pas takimit me ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit dhe Drejtorin e Policisë së Kosovë, Haxhiu tha se që nga paslufta e deri më sot, 99 gra janë vrarë nga bashkëshortë e ish-bashkëshortë.

“Është brengosëse dhe tejet alarmante që e shohin dhunën si mjet të rëndomtë në tejkalimin e problemeve, të cilat tashmë shpesh herë po përfundojnë me fatalitet, pra me vrasjen e grave nga burrat e tyre apo nga ish-bashkëshortët. Ky fenomen është armiku ynë i brendshëm me rrezik të madh. Këto sjellje barbare dhe këto akte monstruoze, shkatërrojnë jo vetëm jetën e viktimave por edhe familjet e tyre por edhe të shoqërisë. Nga viti 1999 që prej atëherë ku me entuziazëm po prisnim ngritin e Kosovës pas çlirimit e deri më sot, Kosova shënon 99 gra të vrarë nga burrat”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka bërë thirrje që vrasësit të marrin dënimet që i meritojnë nga institucionet gjyqësore të vendit.

Ajo mes tjerash bëri thirrje që të monitorohet gjuha e urrejtjes që po përdoret në rrjetet sociale, duke theksuar se kjo është nxitëse që të vazhdojnë krime të tilla.

“Fatkeqësisht është tejet serioze gjuha e urrejtjes që qytetarët i përdorin në rrjetet sociale. Njësoj kishin gjuhë të urrejtjes edhe para katër dite edhe sot kemi paragjykime të viktimave. Bej thirrje që sërish mund të kritikohem nga institucionet, por bëj thirrje me kujdes të veçantë, të monitorohet kjo gjuhe që po përdoret në rrjetet sociale. Ndaj këtyre fenomeneve nuk mund të jem spektator, andaj me urgjencë duhet të veprojmë”, u shpreh Haxhiu.

/Shqip.com