Lajme

Haxhiu: “Vettingu është vaksinë për sistemin e drejtësisë”

Ministrja e Drejtësisë. Albulena Haxhiu.

Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e Kuvendit të Kosovës të premten, duke folur për procesin e vettingut, tha se është “vaksinë për sistemin e drejtësisë dhe për shoqërinë”.

“Jo për vaksina po për Vetting, ndonëse është një vaksinë goxha e mirë. Vaksinë për sistemin e drejtësisë sigurisht dhe për shoqërinë”, deklaroi ajo.

Lidhur me këtë proces të cilin e vlerësoi si shumë të rëndësishëm, tha se janë në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias dhe do t’i ndjekin të gjitha rekomandimet e dhëna nga ky institucion.

Mes tjerash, Haxhiu kritikoi partitë opozitare, të cilat tha se i ka ftuar tri herë radhazi në takim për t’i njoftuar në detaje lidhur me vettingun, por “përgjigja ka qenë refuzuese”.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias dhe do t’i ndjekim rekomandimet në raport me këtë proces shumë të rëndësishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, që qëllimi final është që ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, u shpreh ajo.

“Tri herë radhazi kam ftuar partitë politike në takim për t’i njoftuar në detaje për çështjen e vettingut dhe përgjigja ka qenë refuzuese, deri tani përveç grupit parlamentar Lëvizja Vetëvendosje dhe grupit parlamentar që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kosovë, partitë tjera nuk kanë shprehur interes për të na takuar”.

Ndryshe, Ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (i njohur me termin: Vetting) ka për qëllim ngritjen e një sistemi rivlerësimi tërësor të gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim rritjen profesionale të tyre, luftimin e korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar, politikës dhe elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë./SHQIP.com