Lajme

Haxhiu tregon se a do të jep dorëheqje pas vrasjes së gruas shtatzënë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka lënë të kuptohet se ajo nuk do të jep dorëheqje lidhur me rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në QKUK.

Në një prononcim për Tëvë1, Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë ka adresuar të gjitha kompetencat që ka, si dhe vetë ajo po bën përpjekje në luftimin e femicidit.

“Sa më përket mua, adresojeni se ku është përgjegjësia e Ministrisë së Drejtësisë e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në këtë drejtim dhe unë jam në gjendje të jap dorëheqje. Mirëpo, deri tani Ministria e Drejtësisë ka adresuar të gjitha kompetenca që ka dhe unë jam duke u përpjekur maksimalisht çdo ditë në mënyrë që ta luftojmë femicidin”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se secili zyrtarë që nuk e ka kryer punën e tij, duhet të jep dorëheqje.

“Secili zyrtarë që nuk e ka kryer detyrën e tij duhet të jap dorëheqje. Nëse nuk japin dorëheqje atëherë duhet të ketë shkarkime. Nuk mund të pranojmë më situata ku zyrtarët nuk iu shërbejnë qytetarëve dhe neglizhojnë raste të tilla”.

Ministrja e Drejtësisë ka folur edhe për grupin ndërministror dhe hapat që janë ndërmarrë lidhur me rastin në fjalë.

“Grupi i ngushtë ndërministror është mbledhur qysh sot në mëngjes për të trajtuar këtë akt. Në këtë grup, fatkeqësisht nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit nga Prokuroria dhe Gjykata. Megjithatë, nga informacionet e para që kemi marrë nga policia jemi njoftuar se në korrik të këtij viti ka ndodhur një raportim nga e ndjera për dhunë në familje dhe e njoftuar ishte edhe Qendra për Punë Sociale. Në vend se i dyshuari të shkonte në paraburgim, është kërkuar lirim në procedurë të rregulltë. Si grup ndërministror kemi kërkuar inspektim të trajtimit të të ndjerës edhe në repartin e Gjinekologjisë sikurse kemi kërkuar inspektim nga IPK-ja hetim për veprimet e policisë”.

Krahas kësaj, ministrja Haxhiu ka folur edhe për reagimet e opozitës.

“Nëse opozita nuk mund të na ndihmojë në këtë luftën tonë, betejën tonë për të luftuar femicidin është të heshtë sepse për rreth dy dekadash i kemi pasur në qeverisje dhe asnjëherë dhe asnjë veprim nuk ka pasur lidhje me këtë”.

 Kujtojmë se në mbrëmjen e djeshme është vrarë një grua shtatzënë në oborrin e QKUK-së nga një person i cili dyshohet se është ish-bashkëshorti i saj.

Policia e Kosovës ka gjetur veturën e personit që dyshohet se vrau 35 vjeçaren në QKUK.

Sipas raportimeve, vetura është gjetur në Shtime në parkun “Ahmet Shtimja”.

Sipas njoftimit nga Gjykata më datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëgjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje.

Kurse, sot është mbajtur protestë lidhur me këtë rast.

Disa nga protestuesit kanë hedhur edhe zjarr në objektin e Qeverisë së Kosovës.

/Shqip.com