Lajme

Haxhiu – Tahirit: Është për keqardhje të jesh Ministër i Drejtësisë e të mos mbahesh mend për asnjë punë të mirë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, lidhur me Vetingun dhe akuzat e tij për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton Shqip.com.

Haxhiu thotë se është për keqardhje që personi i cili është shprehur në atë mënyrë, ka qenë Ministër i Drejtësisë.

Ajo me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, tha se koncept dokumenti për Vetingut tregon qartë se si do të ndiqet zhvillimi i procesit të Vetingut, derisa e ka bërë përgjegjës Tahirin për “dështimin” e mekanizmave ekzistues llogaridhënës.

“Nëse lexohet Koncept-dokumenti për Vetingun (që dyshoj të jetë lexuar nga Tahiri), vërehet qartë rruga që do të ndiqet për zhvillimin e procesit të Vetingut, duke mundësuar një verifikim të tërësishëm të subjekteve të vetingut dhe duke ndërtuar mekanizma të cilët bëjnë verifikimin/vlerësimin e vazhdueshëm të tyre”, ka shkruar Haxhiu.

“Dhe kjo ka ardhur, pasi mekanizmat ekzistues që përmend Tahiri, kanë dështuar dhe për këtë mbahet përgjegjës edhe Tahiri. Nëse këta mekanizma llogaridhënës që përmend do të ishin efikas tash e shumë vjet, nuk do të kishim fare nevojë për Veting”, shtoi ajo.

Haxhiu më tej tha se “është për keqardhje të jesh Ministër i Drejtësisë dhe të mos mbahesh në mend qoftë edhe për një punë të mirë”.

Tahiri të enjten tha se reagimi i presidentes Vjosa Osmani për raportin e progresit është i paqëndrueshëm, duke konstatuar se mazhoranca aktuale Kurti-Osmani po bën shkelje serioze me procesin e Vetingut.

Abelard Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri thotë se presidentja e vendit, e ngarkuar me barrë personale për shkeljet e saj që i janë evidentuar në raportin e progresit, nxitoi nga të mërkurën në konferencë për shtyp për t’i bërë një analizë të paqëndrueshme gjendjes në sistemin e drejtësisë.

Sipas Tahirit, me këtë që ka bërë Osmani, ka përbuzur punën e dhjetëra e qindra profesionistëve të këtij sistemi, që në baza ditore përpiqen për ta mbajtur atë në këmbë. /Shqip.com