Lajme

Haxhiu: Rekomandimet e Komisionit të Venecias nuk ishin 100% ato që i kemi synuar

Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se rekomandimet e Komisionit të Venecias për vettingun në drejtësi nuk janë plotësisht ashtu siç Qeveria Kurti kishte synuar.

Ajo tha se Qeveria synonte vetting të plotë për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në vend.

“Nuk është 100 për qind çfarë Qeveria ka synuar, sepse ne kemi konsideruar që duhet të kemi vetting për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Kosovës, përmes mekanizmit të jashtëm, ndërsa komisioni i Venecias na e ka dhënë dritën e gjelbër për vettingun duke filluar nga nivelet e larta të sistemit të drejtësisë dhe pastaj fuqizimin e mekanizmave aktual brenda sistemit të drejtësisë, gjegjësisht jo mekanizmat aktual, por parasheh që të fuqizohen mekanizmat ose këta të tillët ose të tjerë varësisht se si ne e konsiderojmë” tha Haxhiu në Rubikon të Klan Kosovës.

Ajo tha se Këshilli Gjyqësor edhe ai Prokurorial po t’i kem personat e duhurit më shumë se gjysma e problemeve në sistemin e drejtësisë zgjidhen.

“Ne mendojmë që përgjigja e Venecias për vettingun në sistemet më të larta të sistemit të drejtësisë ku përfshihet Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, kryeprokurorët e prokurorive dhe kryetarët e gjykatave, është një reformë e madhe që do të bëhet pas miratimit të paketës ligjore në Kuvendin e Kosovës dhe besojmë që megjithatë është një hap i mbarë sesi mund ta kemi sistemin e drejtësisë llogaridhënës, transparent dhe efikas, sepse Këshilli Gjyqësor edhe ai Prokurorial po t’i kemi ata të duhurit më shumë se gjysma e problemeve në sistemin e drejtësisë zgjidhen” tha Haxhiu.

Haxhiu po ashtu ka komentuar ikjen e qytetarëve nga Kosova.

Ajo tha se kur qytetarët e humbin besimin në institucionet e drejtësisë do të kërkojnë rrugë të ikin nga Kosova.

Haxhiu tha se po punon që të bëhet reforma në sistemin e drejtësisë./SHQIP.com