Lajme

Haxhiu: Prokuroria dhe Gjykata kanë zgjedhur të jenë krah grupeve kriminale

Albulena Haxhiu - Ministre e Drejtësisë

Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur lidhur me lirimin në arrest shtepiak të ish-policit, Dejan Pantiq.

Përmes një emisioni në KTV, Haxhiu ka thënë se Prokuroria Speciale dhe Gjykata kanë zgjedhur që të jenë krah grupeve kriminale në veri.

“E kam konsideruar si një akt të rëndë për faktin se në vend që institucionet e drejtësisë si Prokuroria Speciale dhe Gjykata, të mbrojnë rendin kushtetues, por edhe qytetarët, kanë zgjedhur që të jenë krah grupeve kriminale. T’i amnistojnë grupet kriminale dhe terroriste e t’i inkurajojnë ata. Kur grupet kriminale terroriste në veri e vendit tonë, që udhëhiqen nga Vuçiqi, shohin vendime të tilla të institucioneve të drejtësisë, atëherë këto veprime janë inkurajim që ata të vazhdojnë me veprimet e rënda që shkelin rendin kushtetues”, tha Haxhiu, raporton Koha.net

Vendimet e tilla, sipas Haxhiut janë të papranueshme për Qeverinë e Kosovës.

“Ne s’kemi pasur ëndrra që pa u bërë reforma në drejtësi do të çlirohet sistemi i drejtësisë, por të marrësh vendime të tilla, sigurisht që të njëjtat janë në papranueshme për Qeverinë, sikur edhe për të gjithë qytetarët, pasi sot kam parë reagime të shumta nga qytetarët, mediat dhe akterë të tjerë, ndaj vendimit në Republikën e Kosovës. Ngjashëm si tërheqja e urdhër-arrestit për kriminelin Milan Radojçiq”.

Ajo thotë se nuk beson që ka ndërhyrje nga ndërkombëtarët lidhur me lirimin e Dejan Pantiqit.

“Nuk mund të besoj se ka pasur ndërhyrje nga ndërkombëtarët. Nëse kemi informacione, do t’i bëjmë publike, por më tepër, kjo ndërhyrje po më duket si tendencë për t’u amnistuar vetë sistemi në kuptimin se ‘më kanë thënë ambasadorët’. Mendoj se ky vendim është marrë nga sistemi i drejtësisë, ndërhyrjet që bëhen nuk shihen. Në histori mbetën nënshkrimet e prokurorëve dhe të gjyqtarëve për kërkesa të tilla që janë të rrezikshme për vendin”.

Kujtojmë se kritika për lirimin e Dejan Pantiqit kishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti kërkoi emrin e prokurorit që e bëri kërkesën për ndryshimin e masës ndaj Pantiqit gjë për të cilën reagoi Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

/Shqip.com