Lajme

Haxhiu: Prokurori i rastit të 11-vjeçares ishte i njëjti në rastin ku u dhunua dhe u vra një i mitur tjetër

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se prokurori i rastit të 11-vjeçares është i njëjti prokuror në rastin kur u dhunua dhe u vra një i  mitur para disa vitesh në Fushë Kosovë.

Në një emision në ATV, Haxhiu tha se kjo është një situatë problematike dhe komplekse.

“Çka e bënë problematike dhe komplekse krejt këtë situatë është se prokurori i rastit është prokurori i njëjtë që nuk ka arritur të jetë pranë të miturit tjetër në Fushë Kosovë para disa vitesh ku është vrarë një i mitur. Fillimisht ishte dhunuar pastaj është vrarë dhe siç o thuhet në media ishte prokurori i njëjtë si në rastin e 11-vjeçares edhe atij të mituri atje”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se urdhërat e prokurorëve ‘lëshoje në procedurë të rregullt’ janë bërë të zakonshme dhe ndaj të njëjtit prokuror do të duhej të merreshin masa.

“Po të ndërmerreshin masa qysh atëherë ndaj atij prokurori që nuk arriti me veprimet e tij të mbronte një të mitur sepse në telefon kishte thënë lëshojeni në procedurë të rregullt, duket që ky urdhër i prokurorëve është bërë i zakonshëm e sidomos në raste të tilla që janë shumë të ndjeshme e si pasojë po humbim jetë fëmijësh dhe po dhunohen seksualisht”.

Ministrja e Drejtësisë ka thënë se Inspektorati policor ka nisur hetimet lidhur me këtë çështje por që e pengon fakti se nuk ka ndonjë reflektim nga institucionet e drejtësisë.

“Inspektorati policor ka nisur hetimet për këtë çështje dhe ajo çka më shqetëson është se kanë kaluar një javë dhe ende nuk kemi ndonjë reflektim nga institucionet e drejtësisë në raport me atë se a do të marrin masa ndaj atyre që nuk e kanë kryer detyrën e tyre sepse po them se rasti ishte raportuar në fund të qershorit dhe është dashur më shumë se dy muaj që të arrestohen gjashtë persona të tjerë të cilët ishin të dyshuar për atë rast”.

Haxhiu tha se mirëpresin një hetim të thellë për personat të cilët nuk e kanë kryer detyrën e tyre si dhe konsideron se zyrtarët të cilët nuk i kryejnë detyrat atëherë detyra e tyre duhet të përfundoj.

Tutje, ajo tha se reformat që kanë marrë si ministri dhe Qeveri do të ndihmojnë që të sigurohet një sistem i drejtësisë me njerëz që kanë integritet të lartë moral dhe profesional.