Lajme

Haxhiu përmend tri dyshimet kryesore të raportit të Inspektoratit për vdekjen e Astrit Deharit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka përmendur tri dyshimet kryesore në raportin e inspektoratit për rastin e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, që u gjet i vdekur në qelinë e tij më 2016 në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Ajo ka thënë se dyshimi i parë ka të bëjë me kamerat të cilat fillimisht ishin marrë nga zyrtarët korrektues para se t’i merrte policia.

Haxhiu ka thënë se një gjë e tillë ishte bërë me aprovimin e ish-drejtorit të Qendrës në Prizren.

“Ajo që ishte jashtëzakonisht shqetësuese, kur e mora raportin kam kuptuar se kamerat, gjithnjë sipas dokumentacionit përcjellës, në një prej pikave thuhet se marrja e incizimeve ka ndodhur me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës në Prizren, por para se t’i merrte Policia. Ka raste që ndodhin edhe tani incidente të ndryshme. Kurdo që ndodh vepër me elemente penale, s’mund të ndërhyjë inspektorati pa e bërë punën e vet Policia. Autorizimin e kanë pasur nga drejtori i qendrës së paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj, te kryeinspektori dhe zyrtarë tjerë të Shërbimit Korrektues”, ka thënë ajo në Interaktiv në KTV.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Shkelje e dytë, sipas raportit që e citon ministrja, është shkrimi i dy raporteve për rastin, më 14 dhe 21 nëntor 2016.

Sipas saj, inspektorati s’ka të drejtë të deklarohet se a është vetëvrasje a vrasje.

“Në të parin thuhet se po bëhet inspektim i jashtëzakonshëm mbi rastin e vetëvrasjes. E në të dytin, mbi rastin e vdekjes. Inspektorati s’ka të drejtë të deklarohet se a është vetëvrasje a vrasje. Në asnjë rrethanë. Këtë e bëjnë institucionet përkatëse. As instituti i mjekësisë ligjore s’ka të drejtë të tregojë. E vlerësojnë, Policia, Prokuroria dhe gjykatat”, ka thënë Haxhiu.

Tutje ajo ka përmendur edhe shkeljen e trete e cila ka të bëjë sipas saj, me transferimin e zyrtareve në Lipjan në po të njëjtin institucion ku ishte transferuar dëshmitari kryesor, Naser Makolli.

Haxhiu ka njoftuar se dosjen e ka dërguar te Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, që ka njoftuar se e ka dërguar atë te Prokuroria Speciale./SHQIP.com