Lajme

Haxhiu për Specialen: Në këtë fazë vetëm kaq mund të bëhet

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kanë adresuar një kërkesë tek kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, për të krijuar një mekanizëm ndërkombëtar që do të monitoronte fushën e zbatimit të të drejtave të njeriut nga ana e Gjykatës Speciale. Sipas Haxhiut në këtë fazë vetëm kaq mund të bëhet.

“Nuk mund të bëhet më shumë dhe ne kemi adresuar këtë kërkesë edhe të kryetari i Kuvendit, sipas informacioneve që i kam, tashmë janë duke diskutuar për një trupë profesionale që e trajton aspektin e të drejtave të njeriut, sepse nuk ka asnjë instancë, ndonjëherë që ka pasur, që nuk e ka pasur një institucion tjetër për ta monitoruar, ta zëmë Tribunali i Hagës e ka pasur OKB-në, mirëpo jo Gjykata Speciale nuk e ka asnjë të tillë”, ka theksuar Haxhiu.

Në paraburgim, nën pretendimin se kanë kryer krime lufte, në Hagë po mbahen ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish-deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi e ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Të drejtat e tyre, sipas Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, i kanë cenuar redaktimet në aktakuzë, vonesa në nxjerrjen e materialeve e përkthimet e dobëta.

“Ajo çka unë kam arrit të kuptoj prej të burgosurve dhe kontakteve që kam pasur me ta, dhe që për mua paraqet shqetësim, janë disa, e para është mungesa e barazisë së armëve, mund ta konstatojmë që një proces gjyqësor i cili nuk e zbaton këtë parim nuk garanton proces të drejtë dhe të paanshëm, në rastin konkret ky pari nuk është respektuar, së paku jo deri më tash, ka ardhur si rezultat i dhënies me vonesë të provave, me vonesë të kufizuar të qasjes nëm këto prova dhe materiale që janë proceduar në këtë gjykatë, dhe tek vet mënyra se si janë proceduar dëshmitarët ose provat e tjera në gjykatë. Redaktimi i aktakuzës, redaktimi i materialeve e cenon edhe një të dejtë tjetër që është e drejta që i akuzuari me iu dhënë të gjitha materialet për të mundur me kuptu se për çka po akuzohet dhe në cilat rrethana”, ka thënë Qelaj.

Ndërsa, mbajtjen në paraburgim për më shumë se dy vjet, Qelaj e konsideron zvarritje të procedurave pa ndonjë kriter.

Për ministren e Drejtësisë, shqetësuese në Gjykatën Speciale mbetët aspekti i të drejtave të njeriut, që sipas saj, duhet të trajtohet më seriozitetin më të madh.

“Ajo çfarë unë kam konsideruar është aspekti i të drejtave të njeriut që duhet të trajtohet më seriozitetin më të madh sepse kam bindjen që Avokati i Popullit (në Hagë) që është në fakt avokat paralel, nuk po e kryen detyrën që e ka përgjegjësi, sepse fakti që ka shumë pak staf aty, fakti që nuk na jep asnjë informacion në raport me rastet që ka trajtuar, nuk dua të kuptoj diçka që nuk është në detyrën time por që të mos na japin informacione nëse ka pasur shkelje ndonjëherë, ndonjë rast të të drejtave të njeriut, madje informacione të njëjta as për avokatin e Republikës së Kosovës nuk i kanë dhënë. Mendoj që kjo është problem serioz”, është shprehur Haxhiu.

Edhe konferencat mbi ecurinë e çështjeve që ishin në procedurë paraprake janë karakterizuar me ankesat sistematike që mbrojtja e të akuzuarve i ka parashtruar e që lidhen me redaktime, të cilat ata i konsiderojnë të tepërta.

Gjatë vitit 2022, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, akuzoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar, se ka mbajtur të fshehura prova shfajësuese.

Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se pretendimet e mbrojtjes së Thaçit për fshehje të provave duhet të sqarohen nga Gjykata

“Pa dyshim që nëse këto perëndime të mbrojtjes së Thaçit kanë qenë të vërteta, kemi të bëjmë me shkelje flagrante të drejtave të të pandehurve, pasi që prokuroria në momentin që ka njohuri, në posedim apo kontroll, ndonjë provë, qoftë ajo fajësuese ose shfajësuese, duhet ta njoftojë mbrojtjen dhe gjykatën… Këto pretendime të ngritura nga mbrojtja e zotit Thaçi duhet të sqarohen për opinionin publik nga gjykata në mënyrë që të bindin opinionin publik se gjykimet që po zhvillohen atje, janë duke mbrojtur të gjitha të drejtat e të akuzuarve dhe janë duke u zhvilluar në formë të drejtë, të pavarur dhe të paanshme”, ka theksuar Kadriu, shkruan Kosova Press.

Sipas saj Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk guxon të mbështetet në dëshmitarë të cilët mund të fabrikojnë prova, qofshin ato materiale apo personale.

Edhe mbrojtja e Kadri Veselit ka bërë një parashtresë, me pretendimin se një dëshmitar i Prokurorisë, ishte tërhequr nga deklarata e tij, duke thënë se kishte gënjyer pasi kishte qenë i shtyrë nga një informator i cili ka kontakte të rregullta me prokurorinë.

/Shqip.com