Lajme

Haxhiu për rastin e Mustafës: S’kemi asnjë mandat, e mbulojmë vetëm aspektin financiar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se nuk kanë mandat për të komentuar vendimet e Gjykatës Speciale, raporton EO.

Në konferencë për medie, kur u pyet për shpalljen e vendimit të Apelit për Salih Mustafën, shtoi se përveç pagesë për avokatët në rastet e Speciales nuk kanë ndonjë mandat tjetër.

“Për rastin Salih Mustafa, ju e dini se Ministria e Drejtësisë për çfarëdo veprimi i ka mundësitë minimale. Përveç që mund të ketë deklarime publike në kuptim procedural, formal nuk ka asnjë përgjegjësi dhe jo rastësisht në kohën kur është votuar Gjykata Speciale gjitha këto aspekte që sot diskutohen pas disa viteve ne i kemi përmendur edhe në atë kohë, pra rreziqet që mund të vijnë. Përveçse Ministria e Drejtësisë e ka divizionin ku paguan ekipet mbrojtëse për personat që po akuzohen dhe këtë e bëjmë në përputhje me përgjegjësitë që i kemi si Ministri e Drejtësisë”.

“Unë nuk e kam takuar kryetaren Trëndafilova, këtë e ka takuar zëvëndësi im dhe sigurt që në secilin prej takimeve adresojmë çështje të cilat janë shqetësim i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe për mënyrën se si trajtohen ata”.

“Tashmë ekzistojnë instanca të tjera ku mund të kundërshtohet një vendim i tillë, mirëpo sa i përketë Ministrisë së Drejtësisë drejtpërdrejtë nuk ka asnjë mandat, përveçse të merremi me kërkesat e familjarëve të personave, por poashtu edhe të mbulojmë aspektin financiar të ekipeve mbrojtëse. Ne të vetmen gjë që mund ta bëjmë është të mbulojmë aspektin financiar”.

Paneli i Gjykatës së Apelit të Gjykatës Speciale në Hagë e ka dënuar Salih Mustafën me 22 vjet burg, duke i ulur kështu për katër vjet nga dënimi i shkallës së parë. Mustafa ishte shpallur fajtor për krime lufte nga kjo gjykatë më 16 dhjetor 2022, duke u dënuar me 26 vjet.

Mustafa, në dhjetor të vitit të kaluar u dënua nga shkalla e parë me 26 vjet burgim për akuzën e mbajtjes dhe maltretimin e disa civilëve shqiptarë, një prej tyre i vrarë, në kompleksin e ndërtesave të Zllashit.

Ky vendim njëherit shënon edhe vendimin e parë për krime lufte të shqiptuar nga Gjykata Speciale, e cila ka selinë në Hagë të Holandës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbrojtur dënimin prej 26 vjetësh, duke e vlerësuar si proporcional dhe të drejtë.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Salih Mustafës, Julius Von Bone, në dosjen e publikuar ka shprehur kundërshtime, duke argumentuar se dënimi i Mustafës është shqyrtuar në mënyrë të padrejtë, duke u bazuar në rrethanat e gabuara.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për ndalim arbitrar, torturë, trajtim çnjerëzor dhe vrasje të paligjshme.

Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

Salih Mustafa ka qenë komandant i Njësisë BIA të UÇK-së, që operonte brenda Zonës Operative të Llapit. Aktakuza e ngarkon atë me përgjegjësi penale për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin e Gollakut.

/Shqip.com