Lajme

Haxhiu për Raportin e Progresit: Ka mungesë të informacioneve për Vettingun

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ka mungesë të informacioneve për Vettingun në Raportin e Progresit për këtë çështje, përcjell Shqip.com.

Haxhiu tha se Vettingu nuk do të jetë i njëhershëm, por që do të jetë i përhershëm, pasi që do t’i përcjellë vendimet e gjyqtarëve apo prokurorëve.

 “Sa i përket çështjes së vettingut unë po e shoh që ka mungesë të informacioneve për faktin se ne tani së voni kemi miratuar një koncept dokument në qeveri dhe tani jemi duke bërë planet për themelimin e grupit që i përgatit amandamentet kushtetuese dhe ligjet për vetingun në sistemin e drejtësisë.

E para vetingu s’do të jetë i njëhershëm. Këtu thuhet se do të jetë i njëhershëm çka nënkupton se një herë do të vlerësohen gjyqtarët dhe prokurorët dhe pastaj çka ndodh me ta asgjë askujt. Kjo nuk do të ndodh për faktin se ne planifikojmë veting të njëhershëm dhe të vazhdueshëm dhe të përhershëm”, ka thënë ajo në T7.

Ajo thotë se shqetësimet pse kanë filluar procesin e Vettingut ia kanë treguar edhe ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, teksa shton se ata kanë rezerva për këtë çështje.

“Ne ia kemi thënë këto shqetësime ambasadorit të BE’së në Kosovë edhe me zyrtarë të lartë të BE’së që kemi pasur takime të përbashkëta dhe ata natyrisht që kanë rezerva për vetingun”, tha Haxhiu.

Tutje, ajo thotë se Ministria e Drejtësisë, do të dërgojë komentet në Zyre të Kryeministrit për të treguar se ka paqartësi dhe mungesë të informacioneve në atë Raport.

Sipas saj, do të ketë edhe takime me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian për t’ia paraqitur argumentet se si e kanë menduar konceptin e Vettingut.

Po ashtu, Haxhiu thotë se do të thërrasin edhe një mbledhje me të gjitha grupet parlamentare, duke shtuar se shpreson që do të kenë përkrahje nga ta për miratimin e Vettingut.