Lajme

Haxhiu për punësimet familjare në KEK: Mund të jenë akuza të pabaza, të padrejta

Raportimet për nepozitëm në konkursin e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë qëllim dëmtimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Është për keqardhje që subjektet politike të cilat nuk kanë lënë ndërmarrje publike pa shkatërruar hedhin akuza të tilla kundër VV’së por duket se më tepër kanë qëllim me e dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje sesa që diçka qëndron sa i përket të njëjtave”,  tha ajo.

Haxhiu më tej shtoi se mund të jenë akuza të pabaza, ndërsa ka përshëndetuar nisjen e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Pa dyshim që ne me shqetësim i kemi parë deklaratat në raport me këtë çështje (punësimet në KEK). Unë nuk kam pasur as mundësinë e as kohën që të shoh në qoftë se të njëjtat qëndrojnë apo jo megjithatë duke pasur parasysh sulmet e vazhdueshme kundrejt qeverisë tonë, kundrejt në veçanti Lëvizjes Vetëvendosje edhe mund të pritet që janë akuza të pabaza, të padrejta”, u shpreh Haxhiu për transmetuesin publik.

KEK-u

Theksojmë se Prokuroria ka njoftuar opinionin publik se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka nisur hetimet pas raportimeve për punësimet e parregullta në KEK.

“Pas raportimeve të publikuara në disa portale lidhur me pretendimet se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit të qindra personave në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), më 04.04.2022, ka iniciuar hetime, ashtu që do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndryshe KEK-u ka reaguar ndaj raportimeve se janë punësuar militantë të Lëvizjes Vetëvendosje.

KEK-u, në reagim thotë se është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit.

Kjo ndërmarrje publike ka deklaruar se të gjitha ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit./Shqip.com