Lajme

Haxhiu: Pas mandatit, prokurori Hoxha shkoi në LDK dhe drejtori Qalaj në PDK

Albulena Haxhiu - Ministre e Drejtësisë
Albulena Haxhiu - Ministre e Drejtësisë

Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

Opozita po e akuzon Qeverinë Kurti për emërime politike nëpër pozitat udhëheqëse të institucioneve publike, duke e përmendur si rast edhe Nagip Krasniqin.

Këtyre akuzave i është përgjigjur njëra ndër ministret e qeverisë.

E para e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës për ndikim në sistemin e drejtësisë dhe në organet e rendit dhe ligjit.

Nga foltorja e Kuvendit, Haxhiu ka pyetur se si është e mundur që prokurori Sylë Hoxha pas përfundimit të mandatit shkoi në LDK, ndërsa drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, shkoi në PDK.

“Qysh ka mundësi të flisni për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, kur Sylë Hoxha në momentin që e ka kryer mandatin ka ardhur në partinë e juaj. Pastaj Qalaj pas shkarkimit ka shkuar në PDK”, tha Haxhiu.

/Shqip.com