Haxhiu: Nuk është shkarkuar drejtori i SHSKUK-së sepse ai ka të dhëna për keqpërdorimet që janë bërë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka guxim të shkarkojë nga pozita e drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, pasi sipas tij, Krasniqi ka të dhëna konkrete për keqpërdorimet që janë bërë.
“Sipas raportimeve të mediave Bordi i SHSKUK-së dje bëri përpjekje që përgjegjësinë t’ia faturoj vetëm të Dr. Valbon Krasniqit dhe ta shkarkojnë atë, por siç duket Bordit diçka i hasi sharra në gozhdë, pasi dr.Krasniqi ka njohuri dhe të dhëna konkrete të keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit nga ana e Bordit të SHSKUK-se dhe përgjegjës për shkeljet po e bën Bordin”, shkroi Haxhiu.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu thotë se keqpërdorimet janë bërë gjatë kohës së kur Bordi i SHSKUK-së udhëhiqej nga Agreta Gashi, e cila është shpërblyer me pozitë nga Qeveria Kurti.
“Raporti i Auditimit ka prezantuar keqpërdorime për vitin 2021 për periudhën kohore, kur Bordi i SHSKUK-së udhëhqej nga Dr.Agreta Gashi, e cila përkundër keqpërdorimeve të prezantuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm është shpërblyer nga Qeveria Kurti me pozitë në Bordin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”.
Tutje, Haxhiu tha se Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur keqpërdorime edhe më shumë se sa ata dhe mediat i kanë prezantuar në opinionin publik.

Në raportin e Auditorit për vitin 2021 ishin evidentuar katërmbëdhjetë shkelje.
Prej tyre prijnë shkeljet e identifikuara në tenderë. Po ashtu, u keqmenaxhua edhe me “Shërbimet funerale për të vdekurit me COVID-19”.
“Në procedurën e prokurimit ‘Shërbime funerali COVID 19’, në vlerë 158 mijë euro, kemi vërejtur se dy nga nëntë kompanitë që kishin ofertuar janë palë të ndërlidhura. Bazuar në dokumentacionin e ofertuar, kemi parë që pronari i kompanisë ‘Ngushëllimi’ ka aksione edhe në kompaninë ‘Funerali’ dhe po ashtu i njëjti mban pozitën e drejtorit menaxhues në të dyja kompanitë. Me gjithë këtë, SHSKUK-ja ka shpërblyer me kontratë kompaninë ‘Funerali’, e cila sipas kërkesave ligjore do të duhej të vlerësohej si e papërgjegjshme”, thuhet në raport.
Shkelje janë gjetur edhe tek pranimi i mallit, në njërën prej tyre është kontrata me pagesa deri në rreth 8 milionë euro.
“Nga testimi i pagesave kemi vërejtur se në 61 raste, në vlerë prej 7. 864. 454 eurosh, edhe pse kishte raport të pranimit nga komisioni i pranimit të mallit, mungonte raporti i pranimit të mallit, i përgatitur nga menaxherët e kontratave”, shkruhet në raport.
Bekim Haxhiu në një përgjigje për Shqip.com tha se për shkak të keqmenaxhimit duhet të shkarkohet Bordi dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
“Nuk është përgjegjës vetëm Valbon Krasniqi por tërë bordi i SHSKUK-së për shkak të keqmenaxhimit me QKUK-në dhe me menaxhimin e tërë sistemit”, tha ai.
Shqip.com ka kontaktuar edhe drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi por i njëjti ka propozuar t’i referohemi komunikatës për media.
Krasniqi ishte emëruar në këtë pozitë në korrik të vitit 2020, pas shkarkimit të ish-drejtorit Basri Sejdiu.
Bordi Drejtues i SHSKUK-së ishte formuar në mars të 2020-tës, në bazë të vendimit nga Kryeministri i Kosovës dhe ka këtë përbërje;
Aida Rexhepi – përfaqësuese nga QKSUK-ja dhe kryesuese e Bordit Drejtues, Agreta Gecaj – Gashi përfaqësuese nga QKUK-ja, Xhevat Jakupi – përfaqësues nga IKSHP-ja, Naim Hoxha përfaqësues nga Spitalet e Përgjithshme,, Vjolllca Kadolli – përfaqësuese nga Asociacioni i Komunave dhe Enver Gashi – drejtor financiar/ ekspert i ekonomisë dhe menaxhmentit shëndetësor./Shqip.com