Lajme

Haxhiu: Jo veç Valbon Krasniqi por krejt Bordi i SHSKUK-së duhet të shkarkohet

Deputeit i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar ka mbajtur një mbledhje ku kanë shqyrtuar raportin e Zyrës së Auditorit.

Përmes një njoftimi, Bordi njoftoi se shqyrtimi i raportit të auditimit do të vazhdon në mbledhjen e radhës.

“Në mbledhjen e datës 27 korrik 2022, Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka shqyrtuar raportin final të Zyrës Kombëtare të Auditimit për SHSKUK, si dhe pika të tjera të përcaktuara më parë me rendin e ditës. Shqyrtimi përmbajtjes së raportit të auditimit do të vazhdojë në mbledhjen e radhës të Bordi Drejtues”, thuhet në njoftim.

Në raportin e Auditorit për vitin 2021 ishin evidentuar katërmbëdhjetë shkelje.

Prej tyre prijnë shkeljet e identifikuara në tenderë. Po ashtu, u keqmenaxhua edhe me “Shërbimet funerale për të vdekurit me COVID-19”.

“Në procedurën e prokurimit ‘Shërbime funerali COVID 19’, në vlerë 158 mijë euro, kemi vërejtur se dy nga nëntë kompanitë që kishin ofertuar janë palë të ndërlidhura. Bazuar në dokumentacionin e ofertuar, kemi parë që pronari i kompanisë ‘Ngushëllimi’ ka aksione edhe në kompaninë ‘Funerali’ dhe po ashtu i njëjti mban pozitën e drejtorit menaxhues në të dyja kompanitë. Me gjithë këtë, SHSKUK-ja ka shpërblyer me kontratë kompaninë ‘Funerali’, e cila sipas kërkesave ligjore do të duhej të vlerësohej si e papërgjegjshme”, thuhet në raport.

Shkelje janë gjetur edhe tek pranimi i mallit, në njërën prej tyre është kontrata me pagesa deri në rreth 8 milionë euro.

“Nga testimi i pagesave kemi vërejtur se në 61 raste, në vlerë prej 7. 864. 454 eurosh, edhe pse kishte raport të pranimit nga komisioni i pranimit të mallit, mungonte raporti i pranimit të mallit, i përgatitur nga menaxherët e kontratave”, shkruhet në raport.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu në një përgjigje për Shqip.com tha se për shkak të keqmenaxhimit duhet të shkarkohet Bordi dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

“Nuk është përgjegjës vetëm Valbon Krasniqi por tërë bordi i SHSKUK-së për shkak të keqmenaxhimit me QKUK-në dhe me menaxhimin e tërë sistemit”, tha ai.

“Ky është një bord me një drejtor që e inauguron para fushatës spitalin Pediatrik e spitali për gjashtë muaj nuk mundi të vendohet në funksion dhe edhe sot nuk është në funksion me tërë kapacietet e tij për çka është destinuar”, përfundoi Haxhiu.

Bordi i SHSKUK-së

Shqip.com ka kontaktuar edhe drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi por i njëjti ka propozuar t’i referohemi komunikatës për media.

Krasniqi ishte emëruar në këtë pozitë në korrik të vitit 2020, pas shkarkimit të ish-drejtorit Basri Sejdiu.

Bordi Drejtues i SHSKUK-së ishte formuar në mars të 2020-tës, në bazë të vendimit nga Kryeministri i Kosovës dhe ka këtë përbërje;

Aida Rexhepi – përfaqësuese nga QKSUK-ja dhe kryesuese e Bordit Drejtues, Agreta Gecaj – Gashi përfaqësuese nga QKUK-ja, Xhevat Jakupi – përfaqësues nga IKSHP-ja, Naim Hoxha përfaqësues nga Spitalet e Përgjithshme,, Vjolllca Kadolli – përfaqësuese nga Asociacioni i Komunave dhe Enver Gashi – drejtor financiar/ ekspert i ekonomisë dhe menaxhmentit shëndetësor./Shqip.com