Lajme

Haxhiu nga Venecia: U votuan ndryshimet e Projektligjit për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë

Ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një video nga Venecia, ka njoftuar se anëtarët e këtij komisioni, kanë votuar pro ndryshimeve të Projektligjit për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Haxhiu është shprehur se raportuesit për Kosovën kanë theksuar se Projektligji tashmë përbën një sistem të zbatueshëm të Konfiskimit Civil.

Ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, nga Venecia

“Në seancën e 133-të të Komisionit të Venecias te mbajtur sot në Venecia të Italisë, prezantova ndryshimet në Projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Jam shumë e lumtur që pas prezantimit Komisioni i Venecias ka votuar pro ndryshimeve të tilla, duke konstatuar adresimin e rekomandimeve dhe problemeve të identifikuara në opinionet e muajit qershor.

Raportuesit për Kosovën theksuan se tashmë Projektligji i ri paraqet një sistem të zbatueshëm të konfiskimit civil të pasurisë së pajustifikueshme”, ka thënë Haxhiu.

Tutje, Haxhiu ka falënderuar të gjithë akterët institucional, vendorë dhe ndërkombëtarë, ata nga shoqëria civile dhe ekspertë të pavarur, të cilët besuan dhe kontribuuan në finalizimin e kësaj nisme të rëndësishme reformuese.

/Shqip.com