Lajme

Haxhiu mbledh Grupin Punues për Vetting, bojkotohet nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ka qenë rrugë e vështirë deri në finalizimin e koncept-dokumentit për Vettingun.

Këto komente i tha gjatë takimit me anëtarët e Grupit Punues për vetingun, derisa shprehi keqardhje që në këtë takim nuk ishin pjesëmarrës përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial.

“Prej që kemi nisur punën në këtë proces të rëndësishëm, sa kemi punuar në hartimin e koncept dokumentit për Vettingun e po ashtu edhe në amendamentet kushtetuese kemi pasur debate e ballafaqime të shumta, dhe secila prej tyre i ka ndihmuar reformës në drejtësi. Në këtë drejtim tani pas pranimit të opinionit të komisionit të Venecias jemi në rrugën për ta përmbyllur reformën në drejtësi.

Të gjithë ne nuk do të mund t’i arrinim rezultatet pa një bashkëpunim të mirë. Ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë me institucionet e drejtësisë dhe më vjen keq që nuk janë të pranishëm përfaqësuesit nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se procesi i Vettingut nuk ka të bëjë me emra të përveçëm.

“Duke qenë që jam shumë e interesuar ta kem këtë bashkëpunim dhe bashkërisht ta adresojmë reformën në drejtësi, sepse kjo nuk bëhet kundër emrave të përveçëm mirëpo ka për qëllim që ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë, ne sërish do t’i ftojmë ata që të jenë pjesë e grupeve tona punuese dhe të japin kontributin e tyre”, tha Haxhiu.

Lexo edhe:
Qeveria me plan B në rast se opozita nuk e voton vetingun

Ndërkaq në konferencën për medie, Haxhiu tha se pas përmbylljes së këtij procesi, do të dërgohet për procedim fillimisht në Qeveri e pastaj në Kuvend.

“Bëmë një prezantim në raport me rekomandimet që ka dhënë komisioni i Venecias. Prezantimi ishte diskutim edhe me shoqërinë civile dhe vlerësojmë shumë sepse ishte konsensus të respektohen rekomandimet e komisionit dhe njoftuam se do ta mbajmë një punëtori. Ne kemi një draft të ndryshimeve Kushtetuese dhe pas përmbylljes ne do t’ia procedojmë qeverisë e me votim të qeverisë edhe Kuvendit”.

Ilustrim

Ajo shtoi se “shumë shpejtë do të ketë bisedime me liderët opozitar dhe do të kemi takime edhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë”.

Theksojmë se më 18 qershor, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Haxhiu dolën në një konferencë për media, ku deklaruan se kanë marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias për të vazhduar me Vettingun dh konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Vettingu në Kosovë:

Qeveria e Kosovës, më 13 tetor, kishte miratuar koncept-dokumentin për vetting-un në drejtësi përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.

Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Ndërsa për projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, Komisioni i Venecias sipas Kurtit, ka kërkuar edhe zgjerim të kompetencave.

Ekzekutivi kishte thënë se subjekt i Byrosë do të ishin të gjithë zyrtarët publikë, ndaj të cilë ekzistojnë dyshime se pasuria e tyre është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Opinionet e Komisionit të Venecias pritet të bëhen publike të martën, më 21 qershor.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët kishin thënë se Kosovës i duhet vetting sistematik në drejtësi./Shqip.com