Haxhiu: Kosova ka të drejtë të refuzojë ndonjë të burgosur që vjen nga Danimarka
Të dënuarit me burg nga Danimarka të cilët do të transferohen në burgun e Gjilanit për ta vuajtur dënimin, do të jenë me shtetësi të vendeve të treta.
Kështu tha, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë raportimit në Komisionin për Legjislacion, shkruan Shqip.com.
“Ne jemi të interesuar që të marrim sa më pak përgjegjësi në këtë drejtim, shtetësia e tyre nuk dihet por çfarë dihet është se ata nuk do të jenë shtetas danezë dhe do të jenë të burgosur për vepra deri në 10 vite jo më shumë se aq. Shpenzimet e familjarëve do të jenë në përgjegjësi të Danimarkës”, tha ministrja.
Ministrja Haxhiu tha se marrëveshja me Danimarkën për dhënien me qira të burgut të Gjilanit pritet të hyjë në fuqi në vitin 2023.
“Jemi dakorduar që përshkak se Mbretëria e Danimarkës ka nevojë që t’i ndihmojmë në këtë drejtim, jemi pajtuar që tua ofrojmë qendrën e paraburgimit në Gjilan që i ka 300 shtretër aq sa është kërkesa e Mbretërisë së Danimarkës.Kjo marrëveshje pritet të hyjë në fuqi në vitin 2023 nëse ratifikohet nga kuvendet e dy shteteve aty do të vlejnë ligjet e Danimarkës”, tha ajo.
Më tej, ajo ka dhënë edhe sqarime rreth përzgjedhjes së Kosovës nga Danimarka për dërgimin e të burgosurve në burgun e Gjilanit.
“Në takimin që kemi pasur me ministrin danez, pyetja e parë ka qenë se pse e ka zgjedhur Kosovën?. Jam njoftuar nga ekipi i tij që para se të vijnë me këtë kërkesë kanë analizuar raportet vendore por edhe ndërkombëtae që bëhen për vendin në drejtim të qëndrave korrektuese, gjejgësisht trajtimit që ju bëhen të burgosurve në këto qendra, dhe është vlerësuar kosova që megjithatë krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, më mirë trajtohen të burgosurit dhe poashtu duke pasë parasysh nevojën dhe mungesën e kapaciteteve të Danimarkës ne si vend kemi kapacitete kanë vlerësuar që mund ta bëjnë kërkesen”, ka deklaruar ministrja Haxhiu.
Mes tjerash, gjithashtu, ministrja sqaroi se Kosova e ka të drejtën e refuzimit të ndonjë të burgosuri të cilin e sjellë Danimarka.
“Kosova ka të drejtë për ta refuzuar ndonjë të burgosur i cili për shembull ka ndonjë vepër për pedofili ose diçka që është më sensitive dhe që në Kosovë parashihet të merret një dënim më i madh, e kemi këtë të drejtë që ta refuzojmë. Personat janë me rrezikshmëri të mesme, pra jo me rrezikshmëri të lartë”, përfundoi Haxhiu./Shqip.com