Lajme

Haxhiu i bashkohet protestës së nesërme në Ferizaj për vrasjen e 18-vjeçares

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, do t’i bashkohet protestës së neserme “Drejtësi për gratë e vrara”, e cila pritet të fillojë nga ora 12:00, njofton Shqip.com.

Pjesëmarrjen në këtë protest që do të mbahet pranë stacionit policor në Ferizaj, e konfirmoi vetë ajo me anë të një postimi në Facebook.

“Unë do t’i bashkohem protestës së neserme “Drejtësi për gratë e vrara” e cila do të mbahet pranë stacionit policor në Ferizaj”, ka shkruar ajo.

“Angazhimi shoqëror dhe institucional është i domosdoshëm për ndryshimin e mentalitetit patriarkal dhe për veprime serioze kundër dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”, shtoi më tej Haxhiu.

Sot gjatë ditës, Haxhiu ka reaguar pas dyshimeve të para se një vajzë rreth të 20-tave është dërguar në Spitalin Rajonal të Ferizajt e vdekur nga disa persona të cilët më pas janë larguar.

“Dhuna e këtyre përmasave është alarm që duhet të mobilizojë institucionet e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, t’i trajtojnë me prioritet e me seriozitetin maksimal rastet e dhunimit, kurse dhunuesit të vihen përballë drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka thënë gjithashtu se “është e domosdoshme të veprojmë, pa vonesa, e me përkushtim maksimal”.

“Cenimi i lirisë, qoftë përmes ngacmimeve seksuale, shantazheve e deri te dhuna ndaj grave apo kujtdo tjetër, është e papranueshme dhe si e tillë duhet të trajtohet, pa kompromis ndaj dhunës, e me dënimin e merituar ndaj dhunuesve”, vazhdoi Haxhiu. /Shqip.com