Lajme

Haxhiu: Disa nga reformat në drejtësi po përmbyllen me mandatin e MD-së

Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovës, Albulena Haxhiu gjatë ditës së sotme është takuar me homologun e saj nga Shqipëria, Ulsi Manja.

Në një konferencë për media, Haxhiu tha se me mandatin e Ministrisë së Drejtësisë po përmbyllën disa nga reformat në drejtësi.

“Gjatë këtij takimi kuptova se qeveritë tona tashmë kanë një historik të marrëveshjeve të tjera në fushën e drejtësisë të cilat i kanë paraprirë marrëveshjeve të cilat jemi zotuar së fundi përveç kësaj, njoftova ministrin e Drejtësisë për format që tashmë kanë nisur realisht e disa prej tyre po përmbyllen me mandatin e Ministrisë së Drejtësisë, pra me vetingun në sistemin e drejtësisë, ligjet që kanë të bëjnë me fuqizimin e sistemit prokurorial, aspekti i konfiskimit civil”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se janë të ndëruar që këto dy ministri po punojnë për të realizuar marrëveshjen e arritur që lidhet me zbatimin e dënimeve alternative për shtetasit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë.

“Ministria e Drejtësisë së Kosovës është e nderuar që ka nisur punimet me Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë me qëllim të realizimit të zotimeve tona që lidhen me negocimin dhe arritjen e një marrëveshje për njohjen e zbatimit të dënimeve alternative e cila do të mundësojë që shtetasit kosovar të liruar me kusht nga organet e Shqipërisë të mbikëqyren nga Shërbimi Sprovues i Kosovës dhe anasjelltas”.

Tutje, Haxhiu tha se po punohet edhe për jetësimin e tre nismave që përfshinë edhe njohjen e ndërsjellë të Provimit të Jurisprudencës.

“Ministri Manja me njoftoi se një numër kogja i madh i qytetarëve të Kosovës obligohen që të paraqiten në Shërbimin Sprovues të Shqipërisë dhe me arritjen e kësaj marrëveshje, kjo do të shkojë në interes të qytetarëve, gjithashtu jetësimin e tre nismave nga të cilat garantohet reciprociteti në lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatit po ashtu edhe të ndërmjetësuesit në shtetet përkatëse si dhe njohja e ndërsjellë e Provimit të Jurisprudencës”.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manje tha se bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë fillon nga drejtësia

“Në këtë takim u shpreh qartë vullneti i të dy ministrive tona për të quar përpara të gjitha marrëveshjet që i kemi nënshkruar në kuadrin e mbledhjeve të dy qeverive tona edhe në Elbasan por edhe në takimin e fundit në Prishtinë. Unë e kam cekur se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona dhe dy qeverive tona fillon nga drejtësia”.

Megjithatë, Manje tha se qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë nuk kanë më asnjë pengesë ligjore për bashkëpunimin civil dhe tregtar.

Këto janë 19-të marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë – SHQIP.com

Marrëveshja në fushën e drejtësisë është njëra ndër 19 marrëveshjet e arritura në mes Kosovës dhe Shqipërisë gjatë mbledhjes së tetë të dy qeverive.

“DREJTËSI: Drejt njohjes së barabartë të provimit të jurispodencës dhe lejimit të ushtrimit të profesionit të avokaturës në të dy shtetet”, ishte marrëveshja e arritur në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka një histori 7 vjeçare.

Gjatë këtyre viteve janë firmosur 86 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi, ku shumica e tyre janë të pazbatuara.

Mbledhja e parë u mbajt më 11 janar 2014 në Prizren, ku kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Hashim Thaçi e cilësuan këtë ngjarje si historike për të dy vendet dhe nënshkruan deklaratën për partneritet strategjik.

Pas Thaçit do të ishte ish-kryeministri Isa Mustafa qe do të vinte në Tiranë dhe së bashku me Ramën në mbledhjen e 23 marsit 2015 do të nënshkruanin 5 marrëveshje, 4 memorandume  dhe 2 protokolle bashkëpunimi.

Tradita vazhdoi edhe më 3 qershor 2016 në Prishtinë, ku ish kryeministri Mustafa ishte mikpritësi.

Më pas, me moton “Një tokë, një popull, një ëndërr” mbledhja e 4-të e dy qeverive u mbajt ne Korçë më 27 nëntor 2017 ku në krah të kryeministrit Rama qëndronte kryeministri Ramush Haradinaj.

Një vit më vonë të njëjtit kryeministra mbledhjen e vazhduan më 26 nëntor në qytetin e Pejës.

Nën sloganin “Bashkë pa kufij, në një rajon pa kufij” u mbajt mbledhja e gjashtë më 2 tetor 2020 ne Tiranë, ku kryeministër i Kosovës ishte Avdulla Hoti.

Vetëm pas 7 viteve takime dhe mbledhje, me vendimin e së mërkurës të qeverisë shqiptare një shtetas nga Kosova mund të marrë lejen e qëndrimit vetëm me një aplikim për 5 vite në Shqipëri dhe brenda saj edhe lejen e punës.

Ndërsa në Kosovë, që prej qershorit të 2021-tës qeveria ka vendosur heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm për qytetarët shqiptarë. Po ashtu, është rënë dakord që qytetarëve të dy vendeve do t’u njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve.

Pjesa më e madhe e marrëveshjeve të nënshkruara janë në fushën e tregtisë.

Për shkak të moszbatimit të një pjese të marrëveshjeve të firmosura, dy qeveritë kanë ngritur edhe një sekretariat koordinues ndërqeveritar.

/Shqip.com