Lajme

Haxhiu: Byroja do të bëhet

Albulena Haxhiu, ministrja e Drejtësisë
Albulena Haxhiu, ministrja e Drejtësisë

Albulena Haxhiu, ministrja e Drejtësisë, ka reaguar ndaj PDK-së pasi këta të fundit e kanë çuar Projektligjin për Byronë në Gjykatë Kushtetuese.

Sipas ministres Haxhiu, një veprim i tillë nga PDK u bë meqë ka përpjekje për të zvarritur reformat.

Tutje, ajo ka thënë se reformat që kanë nisur kanë marrë drejtim dhe “askush s’mund t’i ndalojë”.

Reagimi i plotë i ministres Haxhiu:

Në përputhje me zotimin tonë para qytetarëve, në Qeverinë Kurti 1 patëm filluar punën për themelimin e Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Përgjatë kësaj periudhe janë mbajtur qindra mbledhje deri në hartimin dhe harmonizimin e projekt-ligjit mbi të cilën Byroja do të merrte jetë.

Për të qenë edhe më korrekt, pas kërkesës së opozitës dhe para miratimit në parim, projekt-ligjin e dërguam edhe në Komisionin e Venecias si institucionin më kredibil për demokraci nëpërmjet ligjit. Pasi kaloi të gjitha hallkat e verifikimit më në fund u soll në Kuvend për t’u votuar në leximin përfundimtar.

Nuk ka institucion më të lartë në kontinentin tonë për të shuajtur dilemat e opozitës sesa Komisioni i Venecias. Madje edhe vet Gjykata Kushtetuese në rastet sidomos më komplekse, konsultohet me Komisionin e Venecias.

Kësisoj, dërgimi i Ligjit për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese, ka për qëllim zhagitjen e reformave.

Mund të luftohen e sabotohen, por reformat që kemi nisur në shumë drejtime përbrenda sistemit të drejtësisë tashmë kanë marrë drejtimin e duhur dhe nuk mund t’i ndalojë askush, aq më shumë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve.

Byroja do të bëhet. Drejtësia do të triumfojë.

/Shqip.com