Lajme

Haskuka e përfundon mandatin në Prizren: Kryetarit të ri i uroj vazhdim të projekteve që kemi nisur

Ish-kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka

Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar këtë të enjte mandatin katër vjeçar si kryetar i Komunës së Prizrenit.

Tani udhëheqjen e kësaj komune do ta marrë Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës.

Me këtë rast, Haskuka i ka uruar punë të mbarë kryetarit të ri e po ashtu “vazhdim të projekteve që kemi nisur e që duhet të përfundojnë”.

Siç ka thënë ai, mandatin po e përmbyll me “një numër të madh të premtimeve që kemi përmbushur, me përmirësime në shumë drejtori dhe shërbime të reja”.

Haskuka po ashtu ka falënderuar edhe qytetarët e Prizrenit për besimin e dhënë.

“Të gjithë juve që më besuat, e më keni përkrahur gjatë gjithë mandatit, përkundër shumë e shumë vështirësive, ju falënderoj përzemërsisht”, ka shkruar ai në Facebook.

“Unë, Mytaher Haskuka, këtë rrugëtim kam filluar me zemër, e do të vazhdoj që të kontribuoj me zemër për zhvillimin e qytetit tim, duke e ndjekur nga afër çdo zhvillim e çdo projekt që është e do të jetë në të mirë të qytetarëve të Prizrenit”.

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, në raudin e dytë të zgjedhjeve lokale në Prizren ka fituar 27,017 apo 51.01% të votave.

Kundërkandidati i Totajt, Mytaher Haskuka ka fituar 25,942 apo 48.99% të votave. Haskuka ka qenë kryetar i Prizrenit në katër vitet e fundit. Ai e kishte mposhtur Totajn e PDK-së në zgjedhjet e vitit 2017./SHQIP.com