Lajme

Hashim Thaçi uron 17 shkurtin nga Haga

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga paraburgimi në Gjykatën Speciale në Hagë, ka uruar 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

I biri i tij, Endriti, ka publikuar një fotografi në rrjetin social “Instagram”, ku ka treguar se Thaçi urimin e ka bërë sot gjatë një bisede telefonike me nënën dhe babain e tij.

“Në luftë, në paqe e në shtet të pavarur, babi nuk ishte asnjëherë në shtëpi. S’është as sot. Ky është çmimi i lirisë. Më herët foli me gjyshen e gjyshin dhe ua uroi të gjithëve 14-vjetorin e pavarësisë. Gëzoheni shtetin!”, ka shkruar Endrit Thaçi.

Hashim Thaçi së bashku me shumë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë që nga viti 2020.

Aktakuza ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Ata akuzohen për “krime lufte të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë”./SHQIP.com