Lajme

Hasani për “Draftin” gjerman për Asociacionin: I njëjtë me Republika “Srpska” në Bosnjë

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani ka thënë se  “Drafti” gjerman për Asociacionin është i njëjte më Kushtetutën e “Republika Srpska” në Bosnjë e Hercegovinë.

Ai tha se ngjashmëria në mes tyre është 80 për qind.

“Drafti që është i besueshëm, po të analizohet dhe shikohet me Kushtetutën e Republika Srpska dhe heqja ushtrinë dhe çështjet që kanë të bëjnë me ushtrinë, 80 për qind edhe më shumë është e njëjtë me Kushtetutën e Republika ‘Srspka’ në Bosnjë”, tha ai në KTV.

Ai tha se mosdefinimi i Asociacionit në marrëveshje të Brukselit, lë të kuptohet se ka një synim permanent që të krijohet një strukturë e ndarë tërësisht prej pushtetit qendror.

“E para, shteti i Kosovës me të e humb karakterin e vet unitar. E dyta, asnjë punë më serbët lokalë me qeverinë qendrore – pushtet qendror nuk e kanë. Shtetësinë e kanë të Serbisë dhe këto të tjerat janë të integruara aty në mënyrë graduale. Mosdefinimi i Asociacionit në marrëveshje të Brukselit, lë të kuptohet se ka një synim permanent që të krijohet një strukturë e ndarë tërësisht prej pushtetit qendror. Asociacioni është autonomi regjionale pa asnjë dyshim. Sepse selia thotë përcaktohet më vonë. Por më pas nuk është me rëndësi selia se ku është”, ka thënë Hasani.

Ai ka folur edhe për situatën në Veri, ku tha se problemi kryesor atje është çështja e sigurisë.

Hasani tha se largimi i serbëve nga institucionet është imazh i keq për Kosovën, por edhe për ta.

“Unë besoj shumë që dhuna në shkallë të lartë nuk mund të vijë për shumë arsye që janë të dukshme, por që dhuna sporadike me një qëllim të caktuar, radikalizimi i mëtejmë dhe kompromentimi i pushtetit qendror në Kosovë mund të ndodhë, sepse është shumë e lehtë të besohet se mund të ketë sulme edhe ndaj pranisë ndërkombëtare në atë pjesë të Kosovës. Serbët atje përbëjnë një shumicë homogjene dhe kanë prapa kufirin e shtetit serb. Gjendja se si ka ardhur deri te pezullimi i pushtetit, përveç që është e keqe për Kosovën, imazhin e saj, është e keqe edhe për serbët lokalë, sepse në gjykatat në veri janë dosjet e krimit që kanë qenë në proces e sipër”, është shprehur Hasani.

/Shqip.com